Tiranë – Presidenti Topi vizitë dyditore në Slloveni

Kreu i shtetit shqiptar do të pritet nga homologu i tij slloven, me të cilin do të zhvillojë një takim kokë më kokë, për t’u pasuar nga takimi i dy delegacioneve respektive zyrtare ku pritet që temat e bisedimeve plenare do të përqendrohen në marrëdhëniet dypalëshe, bashkëpunimin ekonomik, shkëmbimet tregtare dhe situatën në rajon. Presidenti Topi do të zhvillojë takime edhe me Kryeministrin slloven, Borut Pahor, me Kryetarin e Asamblesë Kombëtare, Pavel Gandar, si dhe me kryebashkiakun e Ljubljanës, Zoran Jankoviç dhe atë të Bledit, Janec Fajfar. Vizita e Presidentit Topi do të pasojë me pjesëmarrje të përbashkët me homologun e tij slloven në Konferencën e Biznesit shqiptaro-slloven ku të dy presidentët do të përshëndesin bashkësinë e sipërmarrësve të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së dy vendeve respektive duke vënë theksin në forcimin dhe rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare, si dhe gjetjen e mundësive të reja për tërheqjen e investimeve reciproke, si dhe ato të huaja në kuadrin rajonal.

Advertisement