Përmes një mesazhi kreu i shtetit ka uruar çdo qytetar shqiptar brenda dhe jashtë vendit. “Gëzuar çdokujt që sonte është mik në tokën shqiptare! Në vigjilje të ndërrimit të viteve, kur dëshirat dhe shpresat tonë janë më të gjalla se asnjëherë tjetër, uroj çdo familje shqiptare, ngrohtësia dhe forca e së cilës është një nga shtyllat më të qëndrueshme të shoqërisë sonë, të ketë më shumë dashuri, lumturi, harmoni e shëndet!” thuhet në urimin e Topi drejtuar popullit shqiptar. “Atmosfera e kësaj mbrëmjeje, e gjen mishërimin e saj më të plotë te sytë e qeshur të fëmijëve. Më shumë se e kujtdo tjetër, kjo është festa e tyre. Dhuratave të prindërve unë dua t`u bashkëngjis urimet e mia më të dashura: qoftë jeta e tyre një jetë e lumtur dhe realizim i ëndrrave të bukura që ata kanë. Ëndrrat e tyre janë standardi që duhet të arrijmë! “Këtë natë, më shumë se kurrë, ndihem pranë atyre familjeve që u përballën me përmbytjet e këtij muaji. Gjej rastin t`i siguroj ata për vëmendjen dhe mbështetjen time deri sa problemet e tyre të zgjidhen, deri sa pasojat e dëmeve të zvogëlohen. Sonte jam pranë të moshuarve dhe prindërve që e kanë të pamundur të jenë pranë të dashurve të zemrës duke ju uruar bashkim të shpejtë, jam pranë fëmijëve jetimë dhe të braktisur, jam pranë njerëzve me probleme shëndetësore e aftësi të kufizuara si dhe familjeve të tyre, me urimin që Viti i Ri, falë kontributit dhe detyrimit të gjithë secilit, të jetë për ta më i paqtë, më shpresëdhënës, e më i bukur” vijon më tej urimi i Topit. Shumë nga bashkatdhetarët tanë e festojnë këtë natë të bukur në vende të ndryshme të botës, ku jetojnë, punojnë dhe studiojnë me dinjitet e sakrifica prej vitesh, duke mbetur shqiptarë shembullorë dhe duke e bërë Shqipërinë më evropiane. Ne u themi atyre: Shqipëria tashmë ju pret dhe ju uron nga zemra një Vit të Ri të lumtur! Një urim të veçantë dua t`u bëj këtë vit edhe Forcave tona të Armatosura, të cilat gjithnjë e më tepër janë shfaqur si një fuqi sigurie përgjatë emergjencave civile! Ndërsa me kontributin e tyre përkrah aleatëve atje ku sfidat dhe vështirësitë janë të shumta, ata i kanë dhënë nder Shqipërisë, dhe dëshmojnë se janë rojtarë të denjë të paqes, lirisë e sigurisë, anëtarë të merituar të NATO-s ! Ndihemi pranë jush dhe ju urojmë nga mot gëzuar! Kjo natë e bukur dhe e qetë është e tillë falë edhe punës së palodhur të punëtorëve, bujqve, forcave të rendit, personelit mjekësor kudo në vend, mësuesve, pedagogëve, punonjësve të institucioneve të ndryshme, gazetarëve që gjenden në krye të detyrës, shkrimtarëve dhe artistëve, të cilëve bashkë me urimin tim për një Vit të Ri sa më të begatë, u shpreh edhe mirënjohjen për gjithçka bënë me punën e tyre të vyer në shërbim të njerëzve dhe të vendit. Një urim të veçantë dua t`ju dërgoj me këtë rast nxënësve dhe studentëve, të rinjve shqiptarë që me energjitë e tyre do ta bëjnë më dinjitoze Shqipërinë evropiane! Vëllezër e motra! Viti 2010 ishte një vit i rëndësishëm për vendin tonë, por ajo që spikat më shumë, është realizimi i ëndrrës së lëvizjes së lirë të shqiptarëve në Evropë. Heqja e vizave është një ngjarje që do të shkruhet me germa të arta në historinë tonë moderne. Ajo i dha fund një izolimi të pamerituar dhe nxiti integrimin real të qytetarëve shqiptarë në qytetërimin evropian. Ky ndërrim vitesh do të mbahet mend gjatë edhe për këtë fakt. Asnjëherë vëmendja e Evropës ndaj Shqipërisë nuk ka qenë kaq e madhe, e po kaq e madhe edhe dëshira e shqiptarëve për t`u integruar. Le ta vlerësojmë këtë moment dhe ta shndërrojmë atë në një akt vetëdijësimi historik. Duke i uruar vitin e ri, e ftoj klasën politike shqiptare, që të ndërgjegjësohet edhe më shumë për rolin historik që ka ndaj vendit dhe popullit të vet! Le të jetë ky vit që po troket një vit që do të konsolidojë edhe më tej arritjet tona më të mira dhe do të hapë perspektiva të reja bashkëpunimi dhe integrimi në familjen evropiane! Besimi tek vetvetja është domosdoshmëri për të përballuar sfidat e vitit që po hymë, dhe shpreh bindjen se shumë prej tyre do të marrin gjatë këtij viti zgjidhje të qëndrueshme ! Të dashur vëllezër e motra, Me dëshirat tona më të zjarrta, me energjitë tona më të bashkuara, me inteligjencën, talentin dhe virtytet që na kanë karakterizuar në çdo kohë, le ta fillojmë këtë Vit të Ri me bindjen se ai do të na shpjerë më pranë idealit tonë evropian, idealit të bukur të një shoqërie më të drejtë, më të hapur, më demokratike! Kjo është rruga që të gjithë së bashku kemi zgjedhur. Me këtë rast, në këtë natë të ndërrimit të viteve, dëshiroj nga zemra t`u uroj të gjithëve gëzuar, gëzuar nga mot juve, familjeve tuaja, fëmijëve tuaj! Zoti e bekoftë Shqipërinë e shqiptarët! Edhe një herë gëzuar!