Tiranë – Presidenti Topi uron homologun Papulias për rizgjedhjen e tij

“Kam kënaqësinë e madhe që me rastin e rizgjedhjes suaj si president i Greqisë, në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, t’ju dërgoj urimet më të ngrohta dhe më të përzemërta për suksesin Tuaj në këtë post të lartë”, nis ky mesazh i shkruar nga kreu i shtetit. Më pas, ai i ka pohuar homologut të tij grek bindjen se niveli shumë i mirë i marrëdhënieve midis vendeve tona, gjatë presidencës së re të Papuliasit do të vazhdojë të konsolidohet dhe zhvillohet më tej në të ardhmen, në të mirë të dy vendeve e popujve tanë miq. “Nënvizoj, me këtë rast, rëndësinë e veçantë që Shqipëria i kushton bashkëpunimit shumëdimensional me Greqinë, jo vetëm si vend fqinjë, por edhe aleat i ngushtë euroatlantik, dhe shpreh angazhimin tim maksimal për të nxitur më tej këtë bashkëpunim dypalësh, rajonal e global. Duke ju uruar edhe një herë suksese në punën tuaj, dhe në pritje të takimit të afërm me ju në Tiranë, ju lutem pranoni, i nderuar Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë!”, thekson kreu i shtetit shqiptar në mesazhin e urimit ndaj Papuliasit.

Advertisement