Tiranë – Presidenti Topi takohet me Kreun e Bashkimit Anglishtfolës

Baroni Hant po zhvillon një vizitë në vendin tonë në kuadër të Konferencës Ndërkombëtare të Gjuhës Angleze. Pasi i uroi mirëseardhjen personalitetit të lartë britanik me një përvojë të pasur në politikë, shkencë dhe në fushën administrative të shëndetësisë, presidenti Topi vlerësoi lart marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë me Britanisë e Madhe në të gjitha fushat. Kryetari i shtetit shqiptar shprehu mirënjohjen për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme që qeveria e Britanisë së Madhe ka dhënë për konsolidimin e demokracisë dhe të institucioneve si dhe për mbarëvajtjen e proceseve integruese euroatlantike të Shqipërisë. Gjithashtu, presidenti Topi theksoi se Britania e Madhe është për Shqipërinë një vend mik dhe një aleate e fuqishme në plotësimin e aspiratave integruese të popullit shqiptar. Nga ana e tij, Lordi Hant falënderoi presidentin Topi për pritjen e ngrohtë dhe miqësore dhe theksoi mbështetjen e mëtejshme të palëkundur të Britanisë së Madhe për realizimin e aspiratave integruese të Shqipërisë. Baroni Hant nënvizoi në këtë pikë rëndësinë e madhe që ka mësimi dhe përhapja në mënyrë të gjerë e gjuhës angleze për konsolidimin e mëtejshëm të lidhjeve dhe komunikimit mes popujve dhe vendeve tona mike.

Advertisement