Tiranë | Presidenti Topi Shqipëria ka nevojë për dialog politik

topi-bamir

Në mesazhin e tij, Topi thekson se gjatë viteve të fundit ka pasur nderin e veçantë të shërbejë si President i Republikës dhe në ushtrimin e kësaj detyre është përpjekur të mbajë premtimin e dhënë, për të qenë Presidenti i të gjithë shqiptarëve dhe për të vepruar me ndershmëri e mbi vlera qytetare. “Gjatë mandatit tim jam ndeshur me pritshmëri më të mëdha nga publiku, me kërkesa të shumëllojshme dhe shpesh kundërshtuese, me kritika të drejta e të padrejta, por me ndërgjegje zgjodha të lë mënjanë modelet e konfliktit formal dhe të dëgjoj e trajtoj me seriozitet të gjitha mendimet, kërkesat dhe kritikat racionale, duke ofruar zgjidhje kushtetuese për gjithçka që përbën interes qytetar, publik e shtetëror”, thuhet në mesazh. Presidenti shpreh bindjen se shumë gjëra mund të ishin bërë më mirë nëse politika vendimmarrëse do ta përdorte pushtetin e saj të madh në mënyrë konstruktive dhe institucionale, nëse interesat e saj do të gjenin më shumë përputhje me interesat qytetare dhe nëse klasa politike do të dëshmonte më shumë përgjegjësi dhe aftësi për të sjellë ndryshimet e premtuara. Sipas Kreut të shtetit, Shqipëria e vitit 2012 meritonte shumë më tepër progres dhe vlera evropiane dhe beson se me këtë përcaktim gjen mbështetjen e shumicës së qytetarëve. “Në përfundim të mandatit kushtetues të Kryetarit të Shtetit ndihem krenar që në emrin tuaj përfaqësova Shqipërinë në ngjarjen historike të anëtarësimit në NATO; që presidenca ime ishte dhe mbetet një presidencë me sjellje qytetare, tolerante dhe gjithëpërfshirëse; një Institucion, nga i cili nuk lindën konflikte, por u zgjidhën konflikte, nga i cili nuk pati politikë partiake, por sjellje e vendime institucionale, nga i cili asnjë qytetar nuk u ndie i fyer, i përjashtuar apo i harruar, por gjithsecili gjeti një derë të hapur për shqetësimet, mendimet dhe nevojën e madhe të bashkëpunimit në të mirë të interesave publike e kombëtare; që me gjithë problemet e trashëguara të tranzicionit, pesë vitet e mia presidenciale u dhanë më shumë jetë, pavarësi e forcë veprimi institucioneve kushtetuese dhe grupeve të shoqërisë civile, medias së pavarur dhe logjikës institucionale të trajtimit të problemeve; që zyra e Kryetarit të Shtetit ishte dhe mbetet një partnere e fortë, aktive, e mbështetur, e referuar dhe e besuar e SHBA-së dhe vendeve të BE-së, shteteve mike dhe çdo institucioni ndërkombëtar të interesuar apo të investuar në përparimin e demokracisë shqiptare; që në këto vite isha aktor modest dhe dëshmitar aktiv në përgatitjen, jetësimin dhe lobimin e shtetit të lirë, të pavarur dhe evropian të Kosovës, si dhe të forcimit të pozitës kushtetuese dhe politike të shqiptarëve kudo ata ndodhen. Duke uruar Presidentit të ri suksese në detyrë, Topi fton të gjithë qytetarët, aktorët politikë dhe institucionet të jenë në mbështetje të vullnetit për përmbushjen e detyrave të tij kushtetuese! Sipas tij, Shqipëria ka nevojë për stabilitet demokratik, për unitet dhe ikje nga ndasitë politike përjashtuese, për dialog e bashkëpunim, për reforma dhe forcim të institucioneve kushtetuese, dhe në këtë rrugë, ka nevojë për kontributin dhe fjalën e gjithsecilit, për më shumë mirëqenie dhe demokraci cilësore e funksionale. I ndërgjegjshëm për këto nevoja dhe vlera demokratike mbetem, në mbështetje të plotë të rotacionit demokratik, energjive dhe prurjeve të reja në krye të shtetit, në institucione, në parti politike dhe në sistemin politik përfaqësues. Shqipëria dhe qytetarët e saj meritojnë më shumë. Postet politike e shtetërore shkojnë e vijnë, por qytetarët dhe shteti, interesat e tyre publike e kombëtare, janë e mbeten aty si pasuria më e madhe, burimi më i madh frymëzues, arsyeja më e madhe për ta kuptuar shërbimin ndaj tyre si privilegj dhe fat, përfundon mesazhi i Presidentit Topi.  

Advertisement