Tiranë | Presidenti Topi: reforma zgjedhore është domosdoshmëri

alt

Sipas burimeve zyrtare nga Presidenca, Kreu i Shtetit theksoi se klasa politike shqiptare dhe institucionet e larta të shtetit kanë lexuar me vëmendje rekomandimet e bëra nga OSBE-ODIHR-i dhe janë bashkuar në përfundimin se kryerja e reformës zgjedhore është një domosdoshmëri dhe një proces për realizimin me sukses të së cilit duhet patjetër rifillimi sa më parë i punës. “Ky fakt thekson edhe një herë nevojën imediate që palët e përfshira në këtë proces, partitë politike e të gjithë aktorët institucionalë, të gjejnë rrugët e komunikimit në mënyrë që të mundësohet një bashkëpunim konstruktiv dhe i përgjegjshëm për të rifituar kohën e humbur dhe për të finalizuar këtë reformë, e cila do i garantojë qytetarëve dhe votuesve shqiptarë zgjedhje të lira, të ndershme dhe sipas standardet demokratike”, u shpreh Presidenti Topi. Në fjalën e tij, Stonestreet vuri në dukje nevojën e nisjes sa më parë nga puna të Reformës Zgjedhore ku siç tha ai OSBE-ODIHR-it do të ofrojë jo vetëm rekomandimet dhe vërejtjet e veta, por edhe ndihmesën e përvojën e vet të efektshme. Sakaq ai theksoi se ky proces reformimi ligjor duhet të jetë sa më gjithëpërfshirës, në mënyrë që gabimet dhe të metat e vëna re gjatë zgjedhjeve të shkuara, të mos përsëriten më duke rritur nivelin e demokracisë shqiptare dhe institucionit të zgjedhjeve. Më tej të dy biseduesit Stonestreet dhe Topi ndanë të njëjtin mendim se në procesin e Reformës Zgjedhore duhen përfshirë dhe marrë parasysh edhe mendimet e sa më shumë partive dhe aktorëve politikë, përfaqësuesve të administratës zgjedhore, shoqërisë civile, etj., në mënyrë që të rikthehet e të rritet besimi i qytetarëve shqiptarë në institucionin e votës.

Advertisement