Tiranë – Presidenti Topi reagon për raportin e Marti-t: janë akuza të pabazuara

Zëdhënësja e Presidencës, Mimoza Koçiu nëpërmjet një deklarate për shtyp deklaroi se akuzat e raportuesit të Këshillit të Evropës, Dik Marty janë të pabazuara në fakte. Ndërsa do të ndiqen të gjithë mjetet politike për të hedhur poshtë përmbajtjen e raportit, Koçiu theksoi se më në fund do të dalë në dritë drejtësia dhe e vërteta. “Duke pasur parasysh këtë Projekt-Rezolutë, që erdhi si rezultat i Raportit të përpiluar nga anëtari i Asamblesë Parlamentare të KiE-së, ish-prokurori Dik Marti, Presidenti i Republikës së Shqipërisë dënon ashpër të gjitha akuzat e pabazuara në prova konkrete dhe pandehmat e endura me një rrjetë thashethemesh, të cilat duken sikur janë të gatuara në kuzhinën e dalëmode të qarqeve të caktuara ultra-nacionaliste, që për fat të keq vazhdojnë të ekzistojnë në Ballkan, në një territor ku kohë pas kohe zbulohen varreza masive të genocidit të pashembullt të forcave serbe të Millosheviçit dhe ku ende strehohen kriminelë lufte të kërkuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës. Këto akuza fantazmagorike, shumë herë të ngritura edhe më parë e të hetuara, por asnjëherë të vërtetuara, nuk bëjnë gjë tjetër veçse hedhin baltë mbi Shqipërinë, kombin shqiptar, identitetin e tij, si dhe shtetin e ri shumë-etnik dhe demokratik të Kosovës dhe drejtuesit e tij legjitimë, të certifikuar jo vetëm nga qytetarët kosovarë, por edhe nga bashkësia ndërkombëtare. Nga ana tjetër, akuzat dhe tymnaja e rrezikshme që ato po ngrenë, dëmtojnë e kërcënojnë seriozisht jo vetëm imazhin dhe vlerat e vërteta të kombit shqiptar, por edhe paqen e qëndrueshmërinë afatgjatë të rajonit tonë”. Në këtë reagim për shtyp, zëdhënësja e Presidencës theksoi në vija të trasha se për këto akuza të pabaza do të duhet të bashkëpunohet me organet e drejtësisë Kombëtare dhe Ndërkombëtare.

Advertisement