Tiranë – Presidenti Topi pret në takim zëvëndës ndihmësin e Sekretarit Amerikan të Shtetit

Gjatë këtij takimi presidenti shqiptar vlerësoi lart marrëdhëniet dhe bashkëpunimin në të gjitha fushat mes dy vendeve duke theksuar bindjen se pas anëtarësimit të Shqipërisë me të drejta të plota në Aleancën e Atlantikut të Veriut, Shqipëria do të vazhdojë të jetë jo vetëm një vend mik e partner, por edhe një aleate tepër besnike në ruajtjen dhe forcimin e paqes dhe sigurisë në botë. Kryetari i shtetit, duke bërë një përshkrim të hollësishëm të reformave të ndërmarra në vend si dhe të përgatitjeve për infrastrukturën e duhur zgjedhore, nënvizoi besimin se “zgjedhjet e suksesshme parlamentare, do të jenë të lira, të ndershme e të pakontestuara në mënyrë që Shqipëria të japë një provë tjetër bindëse në drejtim të plotësimit të standardeve dhe përmbushjes së aspiratave integruese të popullit shqiptar”. Zëvëndës ndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit, Stjuart Xhons, uroi presidentin dhe njëkohësisht Komandantin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura për hyrjen e Shqipërisë me të drejta të plota në NATO. Xhons e siguroi Presidentin Topi se administrata e re amerikane e Presidentit Obama do të vazhdojë të mbështesë pa lëkundje zhvillimin dhe konsolidimin demokracisë dhe institucioneve të pavarura në Shqipërisë duke vlerësuar rolin e rëndësishëm e moderator të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar në rajon në shërbim të qëndrueshmërisë, bashkëpunimit dhe begatisë afatgjatë.

Advertisement