Në një mesazh drejtuar shqiptarëve kreu i shtetit e ka cilësuar këtë ditë si një ditë e shënuar dhe si vendimin më të rëndësishëm pas pavarësisë së Shqipërisë. “Sot ra muri i vizave për shqiptarët. Ky është një moment i gëzuar për të gjithë dhe shqiptarët duhet ta shfytëzojnë hapësirën që i garanton lëvizja e lirë në hapësirën Shengen” theksoi Topi duke shtuar se ky vendim është një arritje që shqiptarët e meritojnë ta shijojnë. Gjithashtu kreu i shtetit i bëri thirrje edhe palëve politike që të kapërcejnë mosmarrëveshjet në interes të vendit dhe të shqiptarëve. “Vendimi i sotëm është një nxitje për të vazhduar më tej dhe për zbatuar edhe kontratën me shqiptarët duke kapërcyer çdo interes politik që janë pengesa që na frenojnë të përparojmë drejt Europës” theksoi kreu i shtetit duke shtuar se duhet të arrihet dialog mes palëve me qëllimin e përbashkët që Shqipëria të anëtarësohet në Bashkimin Europian.