Presidenti u shpreh se, “Ky është takimi i fundit si President, në pritje të tilla. Kam qenë inkurajues i rrotacioneve të natyrshme sidomos në shoqëri si e jona”. Ai falenderoi gazetarët dhe drejtuesit e mediave për të gjitha komunikimet që ka zhvilluar si dhe për misionin e tyre. Topi vlerësoi me nota maksimale zhvillimin që ka patur media, ndërsa theksoi se sa më shumë kalojnë vitet aq më shumë shtohet dinamika e mediave. Ai i cilësoi mediat si instrumentin më të dashur për shqiptarë kudo ku jetojnë, ndërsa tha se njerëzit sot kërkojnë një media të lirë e të pavarur. Duke iu referuar televizionit publik, Presidenti u shpreh se, “RTSH, ky televizion i cili është një institucion tradicional shumë i fortë nga pikëpamja e meritës, infrastrukturës e gazetarëve, dua të them se është televizion i gjithë shqiptarëve pavarësisht nga orientimi apo pakënaqësitë që ka për dikë. Duhet të rritet besueshmëria te ky televizion”. Sipas tij vetëm e vërteta dhe profesionalizmi duhet të dominojë dhe kjo theksoi ai nuk vlen vetëm për mediat por edhe për politikën. “Viti 2012 të jetë vit i suksesshëm për të gjithë për të marrë statusin e vendit kandidat, ku ju jeni kontribut i jashtëzakonshëm”, mbylli fjalën e tij Kreu i Shtetit shqiptar.