Tiranë – Presidenti Topi në konferencë me homologun Basescu vlerëson marrëdhëniet me Rumaninë

Një fakt të tillë, kreu i shtetit Bamir Topi, e ka bërë me dije gjatë një konference të përbashkët për shtyp me homologun e tij, Trajan Basesku, i cili ndodhet në Tiranë për një vizitë zyrtare, duke shtuar se marrëdhëniet e mira mes dy vendeve tona, nga dita në ditë po marrin forma të reja. “Tek të dyja palët ekziston dëshira për përmirësimin e raporteve të përbashkëta”, tha ndër të tjera Topi, duke shtuar se të dyja palët e konsiderojnë të rëndësishëm rritjen e shkëmbimeve tregtare mes tyre. “Por ne folëm edhe për përfshirjen e Shqipërisë dhe Rumanisë në projekte energjetike”, tha Topi. Ndërsa duke folur për zhvillimet rajonale, ai sqaroi se të dyja këto vende mbështesin anëtarësimin e të gjitha vendeve të Ballkanit në NATO dhe në Bashkimin Evropian. “Duam stabilitetin e rajonit të Ballkanit dhe sidomos atë në Kosovë, pasi ëndërrojmë një Ballkan të qetë dhe të stabilizuar”, shtoi Topi. Ndërsa duke folur për praninë arumune në Shqipëri, ai tha se pala shqiptare gëzon respekt për minoritetin arumun dhe e konsideron atë si një minoritet etno-gjuhësor që meriton të drejtat ndërkombëtare lidhur me të.

Advertisement