Tiranë | Presidenti Topi: në 21 Janar nuk duhet të kishte dhunë

“21 Janari nuk duhet të ndodhte në Shqipërinë e shekullit të XXI. Më 21 Janar nuk duhet të derdhej gjak shqiptari. Më 21 Janar nuk duhet të kishte viktima, as të plagosur dhe të dhunuar! Më 21 Janar nuk duhej të kishte lotë të nënave, grave, fëmijëve dhe fytyra pa shpresë për të ardhmen! Më 21 Janar nuk duhej të kishte sulme ndaj institucioneve e as dhunim të ruajtësve të tyre! Më 21 Janar nuk duhej të shkelej ligji! Më 21 Janar u shkel rëndë ligji”, thotë Topi në mesazhin e tij. Ai shprehet se në një vend demokratik shkelja e ligjit dënohet dhe shkelësit e tij, cilëtdo qofshin ata, ndëshkohen. “21 Janari errësoi shoqërinë dhe demokracinë shqiptare, prandaj kërkesa për ta zbardhur dhe nevoja për transparencë ligjore të saj është përparësi e shtetit, drejtësisë, shërbimeve të inteligjencës dhe organeve të rendit e ruajtjes së tij”, thotë Presidenti Topi. Ai ka vënë theksin dhe në bashkëpunimin dhe respektimin e ndarjes së pushtetit. “Një vend quhet demokratik jo sepse ka dhe ka zgjedhur apo ka krijuar Prokurorinë, Gjykatat, Shërbimet Inteligjente dhe Policinë e Shtetit, por sepse në praktikën e tyre, të sanksionuar me ligj, janë sa të pavarura aq edhe të ndërvarura, në punën e tyre për të siguruar rendin dhe qetësinë e qytetarëve janë sa të lira aq edhe të detyruara t’i shërbejnë njëri-tjetrit, janë sa përgjegjëse aq edhe të barabarta përpara ligjit dhe shtetit ligjor. Një shtet ligjor, mbetet i tillë kur transparenca dhe bashkëpunimi i këtyre hallkave nuk pengohet, cilatdo qofshin motivet e saj, dhe drejtësia vendoset”, shprehet kreu i shtetit. Ai ka kërkuar në emër të qytetarëve të Shqipërisë angazhimin e Prokurorisë, Shërbimit Informativ Shtetëror, Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës për zbardhjen e menjëhershme të kësaj ngjarjeje. Kreu i shtetit ka bërë dhe apel për bashkim dhe për arritjen e standardeve demokarike. “Jam më shumë i bindur se kjo Shqipëri bëhet ashtu si ne e duam, vetëm po të qëndrojmë të bashkuar në këtë qëllim, vetëm po të dëgjojmë me urtësi e mençuri njëri-tjetrin, vetëm po të pranojmë e respektojmë dallimet tona dhe mbi të gjitha vetëm në se politika vihet në shërbim të qytetarëve. Në të kundërtën do të rrëzohemi, do të mbetemi mbrapa dhe Shqipëria demokratike, e lirë dhe evropiane do të vazhdojë të mbetet një ëndërr e paralizuar për qytetarët ndërsa një kalë-beteje i pashtershëm për politikanët”, thuhet në mesazhin e kreut të shtetit. Duke bërë apel për zgjidhjen e situatës, Topi ndalet edhe në situatën politike. Ai deklaron se Kuvendi duhet të funksionojë. “Askush nuk mund të mohojë sot që Shqipëria po përjeton një nga krizat politike më të vështira të tranzicionit tonë demokratik. Që në fillimin e kësaj legjislature, Kuvendi i Shqipërisë ka funksionuar në të shumtën e rasteve gjysmë-plot apo gjysmë-bosh, duke cenuar mekanizmin e funksionimit pluralist të një tribune ku sytë, mendjet dhe interesat e qytetarëve presin të gjejnë zgjidhje për hallet dhe problemet e tyre”, tha Topi. Ai shprehet se debati parlamentar pluralist është spostuar në rrugë, “në tribuna, në foltore partish, në studio televizive, gazeta të varura apo të pavarura, duke harruar detyrimin politik dhe përgjegjësinë qytetare që partiakët apo politikanët bëhen deputetë apo ligjvënës nëpërmjet zgjedhjeve, për t’u shërbyer atyre në procesin e ligjëbërjes sa më të mirë për shoqërinë dhe jo për t’u ofruar atyre arena betejash dhe skena politike të padenja dhe të pavlera për një vend dhe shoqëri të civilizuar”. Topi ka bërë thirrje për gjetjen sa më parë të kompromisit politik si rruga e vetme e domosdoshme për të nxjerrë vendin nga situata e vështirë dhe perspektiva e munguar në të cilën ndodhet. “Koha nuk pret! Ajo kërkon që interesat e qytetarëve, të cilët me të drejtë presin një jetë më të mirë, të vendosen mbi interesat e pushtetit dhe të karrierës politike të gjithësecilit. Historia do ta provojë këtë. Gjuha e urrejtjes dhe përshkallëzimi i saj si ndaj kundërshtarëve politikë ashtu edhe ndaj institucioneve të pavarura kushtetuese, nuk tregon as përgjegjësi për situatën në të cilën ndodhet Shqipëria, as vullnet politik për të hedhur hapin e arsyeshëm që kërkohet sot nga interesat kombëtare e as dëshirë për të hetuar e zbardhur në mënyrë të pavarur ngjarjen tragjike të 21 janarit. “Mos urreni, – ka thënë Martin Luter King, – ajo është një barrë tepër e rëndë për t’u mbajtur!”, shprehet Topi.

Advertisement