Gjatë takimit, kryetari i këtij Këshilli, Sinan Tafaj, e njohu Presidentin me çështjet që shqetësojnë personat me aftësi të kufizuara në vendin tonë dhe konkretisht sa u takon ndryshimeve të fundit ligjore mbi statusin e të verbërve, paraplegjikëve e tetraplegjikëve, të cilat, sipas tij “përkeqësojnë gjendjen e mëparshme të kësaj kategorie, duke rritur pasigurinë juridike për të ardhmen e tyre”. Tafaj sugjeroi që institucionet shtetërore të hartojnë një strategji dhe kuadër ligjor të mbështetur në përvojat dhe standardet evropiane, për nevojat më imediate të personave me aftësi të kufizuara, në mënyrë që të shmangen situatat e diskriminimit dhe pasigurisë dhe që strategjia të jetë në mbrojtje të të drejtave të personave me aftësi të kufizuara”. Presidenti Topi tha se do të ndjekë në vijimësi situatën dhe kërkesat e tyre për t’u ndierë të barabartë dhe të dobishëm në jetën shoqërore të vendit, ndërsa siguroi mbështetje institucionale e njerëzore, por dhe morale. Ai nënvizoi se vetëm rrugët ligjore janë mjetet demokratike për gjetjen e zgjidhjeve të duhura, të drejta dhe kushtetuese, ndërsa vuri në dukje nevojën e “rritjes së ndjeshmërisë shoqërore, por sidomos të ndjeshmërisë së atyre institucioneve që e kanë për detyrë të sigurojnë të drejtat e kësaj kategorie të shoqërisë shqiptare sipas standardeve që garanton një shtet i vërtet demokratik e ligjor.”