Tiranë – Presidenti Topi i drejtohet Ramës, të ngrihemi mbi interesat imediate

“Ne i kemi të gjitha aftësitë që gjatë këtij viti të tregojmë më shumë mençuri, përgjegjësi, vizion e besim për të orientuar energjitë dhe kohën tonë shumë të vlefshme drejt një debati konstruktiv, për t’u ngritur mbi interesat imediate pavarësisht çmimit që kërkohet, për të ndërtuar së bashku shoqërinë e vërtetë demokratike”, – deklaroi z.Topi në fjalimin që mbajti para trupit diplomatik shqiptar dhe shumë diplomatëve të huaj që gjendeshin në takimin e zhvilluar dje në Pallatin e Brigadave, duke lëshuar kështu një mesazh politik direkt për Partinë Socialiste, kreun dhe deputetët e saj ende jashtë Kuvendit. Ndërsa duke iu drejtuar diplomatëve shqiptarë, Topi tha se politika e jashtme e Shqipërisë, tashmë me një përvojë dhe bilanc të çmuar, do të tregojë edhe gjatë vitit 2010 qëndrueshmërinë e saj në procesin, detyrat e sfidat euroatlantike, në zhvillimin e marrëdhënieve dy dhe shumëpalëshe me vendet e Bashkimit Evropian, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e tjera anëtare të Këshillit të Sigurimit, vendet mike të Evropës, Azisë, Amerikës e kontinenteve të tjera, me vendet e Ballkanit Perëndimor, me Kosovën, për të cilën do të vazhdojmë mbështetjen për njohjen e saj ndërkombëtarisht dhe organizatat ndërkombëtare. Më tej Topi vlerësoi se gjatë vitit që kaloi Shqipëria përmbylli me sukses kapitullin e rëndësishëm të anëtarësimit me të drejta të plota në NATO për të vazhduar me përmbushjen e detyrimeve dhe përgjegjësive që lindin nga ky anëtarësim, përgjegjësi në planin e brendshëm, në atë rajonal e global. Aspekti i përgjegjësive rajonale dhe frymës së bashkëpunimit për një rajon të qetë, të sigurt dhe të integruar, – theksoi Topi, – mbetet përparësi e politikës së jashtme të Shqipërisë, vend anëtar i NATO-s. Kurse pohoi se suksesi i politikës rajonale të Shqipërisë nuk është i rastësishëm dhe as i pamerituar dhe shtoi: “Ai ka ardhur si rezultat i një qëndrimi të matur, të pjekur e të koordinuar ndaj të gjitha çështjeve delikate, të shtruara për zgjidhje dhe një harmonizimi të drejtë të interesave e përparësive kombëtare me ato rajonale dhe ndërkombëtare”. Në këtë pikë, Topi tha se “rruga që kemi nisur i shërben të ardhmes së përbashkët evropiane, sepse kemi bindjen dhe besimin se kjo sjellje i bën qytetarët shqiptarë dhe ata të gjithë Ballkanit Perëndimor të barabartë me ata evropianë sa në respektimin e vlerave, aq edhe në të drejtën e madhe për jetuar e lëvizur të lirë”. “Unë dëshiroj të besoj se viti 2010 do të vendosë edhe një gur të fuqishëm në urën e bashkëpunimit Shqipëri – Bashkimi Evropian, duke u rikthyer qytetarëve të vendit tim të drejtën e mohuar nga regjimi komunist që në vitin 1945, të drejtën për të lëvizur të lirë në Evropën e lirë dhe të Bashkuar”, – deklaroi kryetari i shtetit.

Advertisement