“Zgjedhjet për administratën vendore në radhë të parë janë zgjedhje për t’u shërbyer më mirë qytetarëve, sepse është pushteti që është më afër qytetarit. Kështu që unë besoj dhe jam mjaft optimist që përtej retorikave dhe konfliktualitetit politik, partitë politike duhet të respektojnë institucionin më të rëndësishëm demokratik, që është institucioni i zgjedhjeve qoftë ky i zgjedhjeve të përgjithshme, qoftë ky i pushtetit vendor”, tha Topi. Ai u shpreh se partitë duhet të krijojnë një klimë të qytetëruar dhe të zhvillohet një debat që të mos shkojë në terma të përgjithshme, por të shkojë pikërisht në ato gjëra, për të cilat ka nevojë qytetari. “Të bëjmë të dallueshëm pikërisht pushtetin vendor nga pushteti qendror, sepse ndryshe gjërat kamuflohen, qytetari nuk merr mesazhin e duhur, sepse mesazhet për pushtetin vendor janë shumë të thjeshta”, tha presidenti Topi pas takimit me anëtarët e Akademisë së Shkencave. Topi ka përshëndetur dhe regjistrimin e partive politike në KQZ. “Sot jemi më 9 Mars dhe nuk bëhet më fjalë për ‘besoj’, por partitë, mesa di unë, e kanë pasur detyrimin ligjor ditën e djeshme, në mesnatë. Kështu që kam një kënaqësi të veçantë që partitë politike po përmbushin detyrimet e tyre kushtetuese e ligjore për të respektuar datën e zgjedhjeve për pushtetin administrativ, që është data 8 Maj dhe mesazhi im është ai që ka qenë vazhdimisht. E ripërsëris: partitë politike, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të ushtrojnë të gjitha detyrimet e tyre për të bërë një fushatë të denjë për interesat e qytetarëve”, tha Topi.