Vetëm pak momente para se të nisej për në Nju Jork, kreu i shtetit ka dekretuar në krye të Gjykatës Kushtetuese, anëtarin e kësaj gjykate, Bashkim Dedja, i dekretuar pak kohë më parë nga Presidenti dhe i pranuar nga Kuvendi i Shqipërisë. Presidenti Topi e dekretoi emërimin e Bashkim Dedes në krye të GJK-së, në mbështetje të nenit 93 dhe 125, paragrafi 4, të Kushtetutës së Shqipërisë. Lajmi për dekretimin e emërimit të kryetarit të ri të Gjykatës Kushtetuese, u dha dy orë para daljes së dekretit të Presidentit në faqen zyrtare të Presidencës, nga këshilltari juridik i Presidentit, Spiro Peçi në një konferencë të shkurtër për shtyp. Më parë në një deklaratë për shtyp, Presidenti i Republikës informoi opinionin publik edhe njëherë se gjatë gjithë procesit të emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese ka zbatuar në mënyrë rigoroze kërkesat e Kushtetues së Republikës. Në këtë deklaratë u bë e ditur se kreu i GJK-së, do të zbulohej, vetëm pak momente para nisjes së kreut të shtetit për në Nju Jork, ku do të marrë pjesë në sesionin e 65-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Këshilltari i Presidentit bëri të ditur se në bazë të nenit 125, pika 4, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese emërohet nga radhët e anëtarëve të saj, nga Presidenti i Republikës, me pëlqimin e Kuvendit. Presidenti bëri të ditur se emërimi i kreut të ri erdhi pas mbarimit të mandatit të Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese. Presidenti i Republikës, duke i kthyer përgjigje mazhorancës me dekretimin e Bashkim Dedes në krye të GJK-së, vlerësoi se përzgjedhja e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, është një proces i rëndësishëm, e duhej realizuar me seriozitetin maksimal, gjë që ka kërkuar edhe shqyrtimin dhe konsultimet e nevojshme për të bërë të mundur emërimin e Kryetarit të kësaj Gjykate. Presidenti i Republikës, më 6 Shtator, ka dekretuar edhe katër anëtarë të rinj të Gjykatës Kushtetuese, për të cilët pritet pëlqimi i Kuvendit.