Tiranë – Presidenti Topi dekreton Gumin ministër të Punës dhe Cështjeve Sociale

“Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, z. Sali Berisha, falënderoi z. Anastas Duro për bashkëpunimin dhe angazhimin e tij si ministër i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta dhe pranoi dorëheqjen e tij nga ky post”- deklaroi zëdhënësja e kryeministrit, Juela Mecani. Për vendin e mbetur vakant, kryeministri propozoi Viktor Gumin, aktualisht zëvendësministër i Drejtësisë. Shkak për dorëheqjen e Duros është fakti se PBDNJ vendosi të hyjë në zgjedhje në koalicion me Partinë Socialiste, PSD, PDS, dhe G99. Dorëheqja e Anastas Duros u bë publike dje nga kryetari i PBDNJ-së Vangjel Dule. Ndërkohë presidenti Bamir Topi ka dekretuar largimin nga detyra të Ministrit të Punës, Anastas Duro dhe po ashtu ka dekretuar propozimin e kryeministrit për emërimin e Viktor Gumit, në këtë post. Ky vendim i presidentit, çon menjëherë dekretet për tu votuar në parlament. Ky pritet të jetë edhe vendimi i fundit i kësaj legjislature, e cila i jep fund edhe sistemit të vjetër të zgjedhjes së deputetëve. Viktor Gumi është i diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, si dhe është lektor në shkollën e Magjistraturës dhe në Fakultetin e Drejtësisë, në Universitetin e Tiranës. Është anëtar i Bordit të Shkollës së Magjistraturës.

Advertisement