Tiranë | Presidenti Nishani mandaton kryeministrin Rama për krijimin e qeverisë

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti sot në takim Kryeministrin e propozuar nga koalicioni i majtë, Edi Rama. Gjatë këtij takimi, i cili zgjati rreth 40 minuta, Kreu i Shtetit mandatoi Kryeministrin e propozuar nga koalicioni “Aleanca për Shqipërinë Evropiane”, për krijimin e Qeverisë së re. Ndërsa pritet që Presidenca të zbardhë detaje nga ky takim, rreth orës 11.00 do të zhvillohet seanca plenare e Kuvendit të Shqipërise ku pritet paraqitja e raportit të verifikimit të mandateve të secilit prej deputetëve fitues në zgjedhjet e 23 qershorit, të cilët më pas do të bëjnë dhe betimin. Propozimi për emërimin e zotit Rama, si Kryeministër i Shqipërisë, iu dorëzua një ditë më parë Presidentit Nishani nga kryetari i Partisë Socialiste, ai i Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe ai i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, në emër të koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, mbështetur në nenin 96, pika 1, të Kushtetutës së vendit. Pas emërimit nga ana e Presidentit, Rama dhe kabineti i ri qeverisës, do të votohet në Kuvend.

Advertisement