Në një takim pune që zhvilloi me krerët e disa institucioneve të pavarura, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani u bëri thirrje të përballojnë me suksesin më të madh të mundshëm demokratik e profesional tranzitimin e pushtetit politik. Në takimin me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, Kryetarin e Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, Nënkryetarin e KLD-së, Elvis Çefa, Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla, Kryetarin e KLSH, Bujar Leskaj dhe Inspektoren e Përgjithshme të ILDKP, Zana Xhuka, Kreu i shtetit deklaroi ndërkohë se në kuadër të së ardhmes europiane të vendit, nuk duhet të ndërpriten reformat e nisura, të miratuara e të bashkërenditura me komunitetin ndërkombëtar. “Reformat strukturore që janë nisur dhe që janë në vazhdim e sipër, ato që janë të miratuara dhe të bashkërenditura dhe me komunitetin ndërkombëtar, ato që kanë të bëjnë me digjitalizimin dhe informatizimin e sistemit të drejtësisë dhe të prokurorisë, ato që kanë filluar tashmë të japin frute në transparencën e sistemit, dhe sidomos në rritjen e konkurrencës dhe vlerësimit të pjesëtarëve të sistemit tonë të drejtësisë, nuk kanë asnjë arsye të ndërpriten dhe të mbeten në pritje. Ato janë të destinuar të arrijnë objektivat e veta, objektiva këto që janë në favor të së mirës publike. Kjo jo vetëm që do t’i sillte mundësi më të mëdha qeverisë dhe mazhorancës së re, por do të krijonte një klimë më të përshtatshme bashkërendimi të objektivave tona të përbashkëta që do t’i shtronte më pas rrugën një bashkëpunimi të frytshëm institucionalo-shtetëror.”-theksoi Presidenti Nishani. Kreu i shtetit u shpreh gjithashtu në takim se, tashmë institucionet kushtetuese të shtetit tonë janë mekanizma të kolauduar që funksionojnë me rendimet të kënaqshëm në të mirë të vendit, në të gjithë vendin, për të gjithë njëlloj, pa marrë parasysh asnjë përkatësi të çfarëdo lloji, por vetëm në përputhje me ligjin. “Një periudhë e tillë tranzitimi është perceptuar jo shpesh në historinë e shtetit dhe demokracisë shqiptare si një kohë e mjegullt dhe e dobishme për t’u përdorur nga elementet e krimit, të çdo lloji, por veçanërisht atij ekonomik dhe korruptiv. Ndaj, jam për t’u përshëndetur institucionet e tilla si KLSH, që para disa ditësh ka publikuar masa të rëndësishme institucionale dhe ekonomike për institucione të caktuara. I njëjti ritëm duhet ruajtur dhe në institucionet e tjera kontrolluese, pasi kjo jo vetëm që krijon një ndjenjë të këndshme sigurie se shteti funksionon, por shërben si një mekanizëm i fortë frenues dhe parandalues për shkelje e keqbërje që mund të duken të padënueshme gjatë kësaj periudhe”. Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, u bëri thirrje krerëve të institucioneve të pavarura të punojnë me sa më tepër devocion për një shtet real, gjithmonë bazuar tek ligji në përputhje me nevojat reale, rrethanat konkrete dhe jo bazuar tek meskiniteti dhe interesi. “Të kemi parasysh një gjë; një njeri që nuk e dedikon plotësisht veten për detyrën që i është ngarkuar, nuk mund të ketë kurrë besimin e njerëzve” – u shpreh Kreu i Shtetit.