Tiranë | Presidenca: Shtabi i Ushtrisë tejkaloi kompetencat për shkarkimin e Gërvenit

Presidenca e Republikës përmes një deklarate zyrtare akuzoi sot Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura ‘për tejkalim kompetencash’ në qëndrimin e mbajtur ndaj largimit të kundëradmiral Kristaq Gërveni nga posti i përfaqësuesit ushtarak të Shqipërisë në NATO. Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja Brikena Arapaj tha se Presidenti i Republikës dhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura është i vetmi autoritet ligjor dhe kushtetues që urdhëron përfundimin e detyrës së Përfaqësuesit Ushtarak të Republikës së Shqipërisë në NATO. Duke shprehur shqetësimin e thellë për përmbajtjen e kësaj deklarate dhe përfshirjen e njerëzve me uniformë në debatin politik të ditës, Presidenti thekson se “Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë përmes kërkesës që i adreson Kundëradmiralit Kristaq Gërvenit për të zbatuar urdhrin administrativ të Ministrit të Mbrojtjes për t’u kthyer në Atdhe, pa dalë Dekreti i Presidentit të Republikës, as më shumë e as më pak, po i kërkon këtij ushtaraku të lartë të braktisë detyrën”. Sipas Kreut të Shtetit, me qëndrimin e tij Shtabi i Përgjithshëm:
1. Ka bërë një akt që nuk është pjesë e detyrave të tij, ka tejkaluar kompetencat.
2. Është bërë interpret i kompetencave të Presidentit të Republikës, që është absolutisht e palejueshme.
3. Është përfshirë në një debat me dy superiorë, Presidentin e Republikës dhe Qeverinë, çka është një dëmtim i hierarkisë shtetërore.
4. Ka ndikuar në krijimin dhe shtimin e një konfuzioni ndërinstitucional, aq të papranueshëm dhe të dëmshëm, veçanërisht në periudhën që po kalojmë.
5. Ka prodhuar propagandë, që është një akt i pastër i njëanshmërisë politike, i paimagjinueshëm për një institucion ushtarak të një vendi pluralist, për më tepër anëtar i NATO-s.
Sipas deklaratës së Presidencës pozicioni i shefit të përfaqësisë sonë ushtarake në NATO, është përtej pozicionit të një specialisti administrate, siç është munduar të etiketohet nga Shtabi i Përgjithshëm. Presidenti i Republikës e përcjell shqetësimin e tij në kontekstin e rrezikut të përdorimit politik të institucioneve të depolitizuara dhe departizuara, duke i kërkuar Shtabit të Përgjithshëm të angazhohet vetëm dhe tërësisht në detyrat e tij ligjore dhe kushtetuese, përfundon deklarata e Kreut të Shtetit.

Advertisement