Deklarata e ministrit Pollo u bë në takimin e Grupit Drejtues të Projektit Kundër Korrupsionit në Shqipëri ku mori pjesë dhe Luigi Brusa, Shef i Sektorit Operacional i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri. “Jemi të gatshëm për të gjetur një zgjidhje përfundimtare për çështjen e imuniteteve, përfshi edhe ndryshimet kushtetuese”, tha Pollo duke folur për rëndësinë që ka lufta ndaj korrupsionit dhe shmangia e abuzimeve nga zyrtarët e lartë. Pollo u shpreh se takimet e hapura mes shoqërisë civile, politikës dhe sistemit të drejtësisë kanë vënë thekin në nevojën e limitimit ose heqjes së imunitetit. Ai theksoi se gatishmëria e mazhorancës nuk ka munguar asnjë herë për këtë çështje . “Përfaqësues të tre pushteteve (legjislativi, ekzekutivi dhe gjyqësori), përfaqësues të maxhorancës dhe opozitës u shprehën se, imunitetet, si të zyrtarëve të lartë dhe të gjyqtarëve, duhen limituar. Mjetet apo rrugët ligjore për arritjen e këtij rezultati mund të jenë të ndryshme: ndryshime kushtetuese apo miratim ligji me 3/5-at e votave”, tha ai. Pollo prezantoi dhe nismën e qeverisë për transparencën në kuadër të projektit Open Government Partnership, i cili është një iniciativë amerikano-braziliane ku marrin pjesë afro 100 shtete. “Në bazë të këtij angazhimi, po diskutohet në Qeverinë shqiptare, edhe ndërmarrja e masave shtesë në lidhje me rritjen e transparencës dhe aksesit të informacionit (open data), të cilat do të përfshihen edhe në planin 3-vjeçar antikorrupsion gjatë revizionit të përvitshëm të tij”, tha Pollo.