Tiranë – Policia ofron 250 mijë euro shpërblim për informacione rreth vrasjes së deputetit Xhindi

Policia e shtetit informon se grupi hetimor është i përbërë nga ekspertët më të mirë të hetimit të krimit në policinë e shtetit, ekspertët të laboratorit shkencor, të institutit të mjekësisë ligjore dhe të strukturave të SHISH-it. Policia informon se të gjithë strukturat e policisë së shtetit kanë kaluar në shërbim të përforcuar për marrjen e masave kufizuese dhe kontrolluese të territorit ku mendohet të lëvizë ose strehohet autori i krimit të rëndë. Policia informon se deri në këto momente “është bërë këqyrja e hollësishme e vendit të ngjarjes, filmimi dhe fotografimi i tij, fiksimimi dhe sekuestrimi në cilësinë e provës materiale i 15 gëzhojave model 56, kalibri 7.62 milimetra, sekuestrimi i katër bërthamave të predhave dhe pesë copë këmishave të predhave, sekuestrimi i një pako aspirinë tabletë, sekuestrimi i një qese plasmasi, ekzaminimi mjekoligjor i kufomës, marrja e mostrave të gjakut nga viktima dhe vendi i ngjarjes”. Provat janë vënë në dispozicion të Laboratorit Qëndror Kriminalistik dhe Institutit të Mjekësisë Ligjore për përpunime dhe ekzaminime krahasuese të mëtejshme shkencore. Policia informon se gjatë natës janë shoqëruar dhe pyetur në cilësin e personave që tregojnë rrethanat e dobishme të hetimit 10 shtetas si dhe eshtë hetuar dhe po hetohet hollësisht mbi aktivitetin e ditës së djeshme dhe më parë të viktimës. ”Policia e Shtetit në bashkëpunim të ngushtë me institucione të tjera të zbatimit të ligjit po punon intensivisht për marrjen e informacioneve dhe analizimin e tyre me interes zbardhjen sa më parë të kësaj ngjarje shumë të rëndë.” – thuhet në njoftimin për shtyp të Policisë së Shtetit. Policia e Shtetit fton cdo qytetarë të bashkëpunojë në dhënien e informacioneve për zbardhjen e kësaj ngjarje dhe vë në dispozicion 250 mijë euro shpërblim duke ruajtur anonimatin. Për çdo informacion policia ka vënë në dispozicion numrat e telefonit 06941 03251 dhe 06941 07 507. Pas dhënies së njoftimit të policisë për një shpërblim prej 250 mijë euro për atë që do të japë informacione të sakta mbi vrasjen e deputetit të PS Fatmir Xhindi, një numër i madh telefonatash janë bërë në numrat e dhënë nga policia. Lajmin e bëjnë të ditur burime policore zyrtare, sipas të cilave telefonatat mbahen sekrete. Burimet shtojnë se nga informacionet që po mblidhen me anë të telefonatave shpresohet se do të arrihet në një rezultat.

Advertisement