Tiranë – Policia jep detajet e plagosjes së nipit të Adil Carcanit nga nipi i Enver Hoxhës

Kështu sqaron zyrtarisht Policia e Tiranës, incidentin e ndodhur dje në mbrëmje në Bllok, ku nipi i ish-kryeministrit komunist Adil Çarçani u plagos me armë nga nipi i diktatorit Enver Hoxha. “Nga hetimet e kryera deri më tani, u konkludua se në këtë konflikt janë përfshirë shtetasit Besnik Dabulla, Edrin Lufi dhe Shkëlzen Hoxha, të cilët në momentin e ngjarjes ndodheshin duke darkuar në ambjentet e lokalit “Liburn” në rrugicat e ish-Bllokut, në pronësi të shtetasit Besnik Dabulla. Ky i fundit, dyshohet se, është konfliktuar më pas me shtetasit e sipërcituar, ku për pasojë ka plagosur rëndë, shtetasin Edrin Lufi, 34 vjeç, lindur e banues në Tiranë, i cili u dërgua menjëherë në Spitalin Ushtarak në Tiranë në gjendje të rëndë shëndetësore”, citon saktësisht Policia e Tiranës rreth ngjarjes. Më tej, ajo tregon sesi ndaj Besnik Dabullas, pas dokumentimit të ngjarjes është marrë masa e arrestit në flagrancë për konsumim të veprave penale të “Plagosjes së rëndë” dhe “Armëmbajtjes pa leje”. Ndërkohë që në vendngjarje në cilësinë e provës materiale u sekuestruan arma e zjarrit e tipit pistoletë si dhe një gëzhojë e një predhë. Materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tij do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për hetime të mëtejshme, me synim zbardhjen tërësisht të rrethanave dhe motiveve të kësaj plagosje të rëndë.

Advertisement