Sipas policisë arrestimi i tij u bë pas një sërë verifikimesh dhe të dhënash që janë marrë në lidhje me aktivitetin e tij në Tiranë. “Pas një sërë hetimesh të kryera disa ditore ku u përdorën të gjitha metodat speciale të hetimit të krimit si dhe një sërë veprimesh të tjera proçeduriale, u bë ndalimi i shtetasit Nexhat Mulaj, në bazë të Urdhrit të Ndalimit të lëshuar nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, datë 28.10.2011, për veprat penale të Vrasjes me pasojë vdekjen e shtetasit Rrapo Sinanaj dhe Armëmbajtjes pa leje”, thuhet në njoftimin e Policisë së Tiranës. Sipas policisë, më datë 21 Tetor 2011 në afërsi të rrugës “Siri Kodra”, Mulaj, fillimisht dyshohet se ka tentuar të vjedhë me armë zjarri, argjendarinë në pronësi të viktimës Rrapo Sinanaj, i cili në momentet e ngjarjes ka qenë duke tregtuar bizhuteri në dyqan. “Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 5 karta identiteti në emër të autorit Nexhat Mulaj, ku 4 prej tyre ishin lëshuar nga autoritet Kosovare ndërsa 1 kartë lëshuar nga autoritet Shqiptare”, bën të ditur Policia e Tiranës. Ndaj 27-vjeçarit ka nisur procedimi penal për veprat e “Vjedhjes me pasojë vdekjen” dhe “Armëmbajtje pa leje”.