Tiranë | Policia analizon punën për vitin 2011

alt

Drejtori i Policisë së Tiranës, Saimir Muça u shpreh se në fokus të veprimtarisë së policisë, kanë qenë zbatimi i prioriteteve dhe objektivave të përcaktuara në fushën kundër narkotikëve, trafiqeve të paligjshme, korrupsionit, krimeve ndaj pronës, parandalimit të aksidenteve rrugore dhe rritjes së besueshmërisë së publikut tek policia, të cilat janë realizuar dhe në disa raste janë tejkaluar. “Në territorin e Qarkut Tiranë, është marrë dijeni dhe janë referuar 6236 vepra penale, nga të cilat janë zbuluar 5227 prej tyre, ose 83.8% e tyre. Në krahasim me vitin 2010, kemi një rritje të evidentimit me 1274 vepra penale, dhe njëkohësisht rritje të fuqisë zbuluese me 2.8%. Në këtë veprimtari janë përfshirë gjithsej 5686 autorë, prej të cilëve 1270 arrestuar dhe 4416 ndjekur në gjendje të lirë. Evidentojme faktin se, gjatë këtij viti janë kapur 345 persona të shpallur në kërkim ose 68 më shumë në krahasim me vitin 2010”, u shpreh Muça. Në vijim të fjalës së tij Drejtori i Policisë së Tiranës tha se, vepra penale në fushën Kundër Krimeve të Rënda, janë evidentuar gjithsej 290, zbuluar 212 ose 73.1% e tyre, ku janë proceduar gjithsej 279 autorë, nga të cilët, 176 arrestuar e ndaluar, 56 proceduar në gjendje të lirë dhe 47 shpallur në kërkim. Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar evidentohen 65 vepra penale më shumë, ndërkohë që fuqia zbuluese është rritur me 2%. Sakaq për vitin 2012, Muça theksoi se Drejtoria e Policisë së Tiranës synon, rritjen e treguesve të performancës për garantimin e rendit dhe sigurisë publike në të gjithë territorin e qarkut, në vazhdimin e punës për parandalimin dhe zbulimin e krimeve, në përsosjen e bashkëpunimit dhe bashkëveprimit me komunitetin duke e konsideruar veten një shërbim të rëndësishëm publik në dobi të të gjithë shoqërisë.

Advertisement