Këtë pohim bëri dje në një dalje për mediat, Sekretari për Marrëdhënie me Jashtë i PLL, Gazmend Lita. Ai tha se maxhoranca qeverisëse ka treguar vullnet të mirë dhe përmes masave konkrete ka arritur rezultate të dukshme për menaxhimin e kufijve dhe pajisjen e qytetarëve me pasaporta biometrike. Përkundrejt këtij angazhimi serioz të maxhorancës qeverisëse bie në sy qëndrimi kundërshtues i Partisë Socialiste e cila vazhdon të mbajë peng reformën në drejtësi, – vlerësoi Lita. Sipas tij, ky rol kundërshtues i saj nuk mund të mbulohet as me thirrjet hipokrite për liberalizimin e vizave të z. Rama dhe as me votimin formal që grupi parlamentar i PS i bëri rezolutës që Kuvendi i Shqipërisë hartoi në mbështetje të heqjes së vizave. Partia “Lëvizja e Legalitetit” mendon se Shqipëria e ka dëshmuar me vepra përkatësinë e saj evropiane dhe se e ka merituar prej kohësh liberalizimin e vizave. Tashmë, që edhe kriteret teknike duken të realizuar, është radha e BE që t’i përmbahet angazhimeve dhe kalendarit të tij për finalizimin e këtij procesi.