Tiranë | Përurohet shkolla “Karl Gega”, kryeministri Berisha: arsimi profesional në piedestal

Shkolla e mesme profesionale “Karl Gega”, e rikonstruktuar falë një fondi prej 55 milionë lekësh, u përurua në një ceremoni të posaçme, ku ishte i pranishëm dhe kryeministri Sali Berisha. Në fjalën e tij përshëndetëse kryeministri garantoi se qeveria do të bëjë gjithçka për ta vendosur arsimin profesional në piedestalin e merituar. Ai premtoi mbështetje financiare për të rinjtë që mbarojnë këto shkolla për hapjen e bizneseve të reja, duke krijuar një fond të veçantë për ta. Pasi vlerësoi kontributin e jashtëzakonshëm që kjo shkollë ka dhënë ndër vite në fusha të profesioneve të ndryshme, ai shprehu mirënjohjen për mbështetjen që qeveria zvicerane dhe ajo gjermane po japin në ndërtimin e sistemit të arsimit profesional në Shqipëri, i cili, tha Berisha, për rrethana të caktuara njohu thuajse një kolaps të plotë. Duke vënë në dukje përpjekjet e qeverisë për zhvillimin e arsimit profesional Berisha tha se katër vite më parë kishim 25 profile, ndërsa sot kemi 60, ndërkohë që nevojat mund të jenë 200-300. Gjatë viteve të fundit është rritur me 38 për qind numri i nxënësve në shkollat profesionale. Kryeministri i premtoi gjithashtu të rinjve se nuk do të ndalë përpjekjet derisa të bëhet e mundur votimi i 16-vjeçarëve. “Këtë radhë nuk u bë e mundur që 16-vjeçarët të marrin pjesë në votime dhe atyre që e kundërshtuan votimin e tyre u propozoj të vijnë në këtë shkollë dhe të shohin se çfarë janë të aftë të bëjnë 16-vjeçarët. Zotimi im është përpjekje derisa të arrihet pjesëmarrja në procesin e votimit e 16-vjeçarëve”, tha Berisha.

Advertisement