Tiranë | Përmbytje si pasojë e reshjeve

alt

Si pasojë e reshjeve të dendura është rënduar trafiku, ndërsa përveç periferisë së kryeqytetit, përmbytje ka pasur edhe në qendër të Tiranës. Disa nga zonat më problematike në të cilat vërshoi uji nëpër rrugë janë në rrugën “Don Bosko”, në “Kombinat”, (pranë Fabrikës së Birrës), tek rruga “Hoxha Tahsin”, në drejtim të Farmacisë 10 dhe tek Ura e Madhe e Dajtit. Bashkia e Tiranës dhe Policia e Shtetit, kanë punuar për normalizimin e situatës në Tiranë. Bashkia e Tiranës bëri të ditur se ka ndërmarrë menjëherë masat e nevojshme dhe ka mobilizuar të gjithë punonjësit e Ndërmarrjes nr. 2 të Ujësjellës – Kanalizimeve, operatorët e pastrimit, me qëllim rikthimin e situatës në normalitet. Po kështu, po bashkëpunohet me Shërbimin Zjarrfikës, për të bërë të mundur largimin e ujit me bote, në pjesët më problematike. Sipas njoftimit, në rrugët e Tiranës u vendosën rreth 150 policë bashkiak dhe 20 mjete, ndërkohë që Policia e Rendit ka përforcuar shërbimet e saj në zonat problematike, ka shtuar patrullat e përgjithshme dhe shërbimet e Policisë Rrugore, pasi rreshjet e shumta kanë bërë të mundur që një numër semaforësh të jenë jashtë funksionit. Njëkohësisht është devijuar qarkullimi i mjeteve, në rrugën “Don Bosko”.