Tiranë | Përkrenarja dhe shpata e Skënderbeut, tre muaj në Shqipëri

Skanderbeg helmet

Sipas burimeve nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve është rënë dakort për këtë periudhë kohore, gjatë së cilës në Muzeun Historik Kombëtar do të ekspozohen në një vitrinë në Pavionin e Mesjetës, armët e Skëndërbeut. Një delegacion nga Muzeu i Historisë së Artit në Vjenë ka zhvilluar sot një takim me Ministrin e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi. “Ne erdhëm këtu për të parë kushtet ku do të ekspozohen këto objekte dhe gjithçka është shumë mirë. Do të sjellim edhe një vitrinë të re për sigurinë dhe klimën dhe ato do të qëndrojnë për 3 muaj, por nëse ka interes mund t’i lemë edhe për tre muaj të tjerë”, tha për mediat Christian Beaufort, Kryetar i delegacionit të Kunsthistorisches Museum Vienë. Armët e Skënderbeut, 422 vjet pasi kanë mbërritur në Vjenë, sipas inventarit më të hershëm që ekziston nga viti 1590, që prej muajit nëntor do të mund të vizitohen nga publiku shqiptar. Sipas takimit që u zhvillua sot në MTKRS, ekspertët bënë me dijse se bashkë me shpatën dhe përkrenaren do të dërgojnë edhe një nga katër portretet origjinale të Skëndërbeut. Sipas Sylvia Ferino, Drejtore e Galerisë së Mesjetës në Kunsthistorisches Museum ata kanë katër portrete origjinale të Skënderbeut nga Shekulli i XVI-të, pjesë e koleksionit të Habsburgëve. “Është me vlerë t’a sjellim njërën për ekspozim në Tiranë, pasi me sa pash këtu në Shqipëri nuk ka ndonjë portret original të Skënderbeut nga mesjeta”, tha Ferino. Sipas MTKRS-së, qeveria shqiptare do të marrë përsipër të gjitha shpenzimet për sjelljen në Shqipëri të përkrenares dhe armëve të Skënderbeut.  

Advertisement