Nga numërimi i votave të hedhura gabim për njësinë bashkiake 8 rezultuan 7 vota në favor të kandidatit të koalicionit “Aleanca për Qytetarin” Lulzim Basha dhe 6 vota në favor të kandidatit të koalicionit “Aleanca për të Ardhmen” Edi Rama. Pas numërimit të njësisë 8, dhe kur kanë mbetur për t’u hapur kutitë e 3 njësive të fundit bashkiake 9, 10, dhe 11, kandidati demokrat vijon të ruajë avantazhin e tij kundrejt rivalit socialist me 72 vota më shumë. Pas numërimit votat e gjetura në njësinë 8 janë tabuluar në tabelat përmbledhëse të qendrave të votimit të kësaj njësie. Ndërkohë deri më tani janë hetuar kutitë e 8 njësive të bashkisë Tiranës, një hetim që nisi nga KQZ pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor, ku u vendos të hapen 1793 kuti që i përkasin 368 qendrave të votimit në Tiranë. Para këtij vendimi KQZ ka hapur edhe 117 kuti të tjera, ku numëroi votat e hedhura gabim që sollën rezultatin me 81 vota në favor të kandidatit Lulzim Basha, rezultat që është pikë referimi për votat e numëruara gjatë këtij procesi të dytë.


