Tiranë | Përfundon lirimi i të dënuarve nga Amnistia

Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Artur Zoto, njoftoi sot se ka përfunduar lirimi i të dënuarve nga Amnistia. Sipas tij, “zbatimi i këtij ligji vjen në një moment të rëndësishëm të ndërmarrjes së reformave, që lidhen me krijimin e një sistemi bashkëkohor peniteciar në vendin tonë”. “Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve u morën të gjitha masat që kishin të bënin me zhvillimin normal të këtij procesi. Si rrjedhojë e zbatimit të Ligjit “Për dhënie amnistie” deri më tani kanë përfituar lirimin e menjëhershëm 813 të dënuar dhe paraburgosur”, u shpreh Zoto në një deklaratë për mediat. Sipas Drejtorit të Përgjithshëm e Burgjeve, “ky proces ishte i suksesshëm dhe nuk është shënuar asnjë incident”. “Zbatimi i ligjit për amnistinë do të sjellë përmiresimin e stadardeve që lidhen me respektimin e të drejtave të kategorisë së personave të dënuar dhe paraburgosur që ndodhen në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale”, përfundoi deklaratën e tij Zoto.

Advertisement