Tiranë | Pensionet do të rriten me 4% në qytet dhe 5% në fshat

alt

Në një konference për shtyp, Braho tha se “rritjen me masën 4% do e përfitojnë të gjithë pensionet e pleqërisë, pensionet familjare dhe të invaliditetit të qytetit, ndërsa rritjen me masën 5%, do t’a përfitojnë të gjithë pensionet e pleqërisë, invaliditetit dhe familjare në fshat”. Po kështu, shtoi Braho, “rritjen me 4% do ta përfitojnë edhe të gjithë pensionet e ish- ushtarakëve të caktuara dhe të rillogaritura sipas ligjit 10 142, datë 15.5.2009, trajtimet e veçanta të pilotëve flutures, të detarëve, të ish-punonjësve të ndërmarrjeve ushtarake, të ish punonjësve të nëntokës, si dhe pensionet suplementare të profesorëve”. Gjithashtu, drejtoresha e ISSH-së, bëri të ditur se pavarësisht rritjes, pensionistët do të vazhdojnë të marrin të ardhura të tjera të rregulluara me vendim të Këshillit të Ministrave (VKM), si 150 lekë në muaj kompensim për diferencën e çmimit të bukës, 350 lekë në muaj si kompensim për energjinë elektrike dhe 414 lekë në muaj për çdo pjestar të familjes, që është në varësi ekonomike të pensioneve sipas VKM nr 401, me masën 500 lekë, sipas VKM nr 763 me masën 760 lekë në muaj dhe në masën 190 lekë në muaj sipas vendimit nr 415. Ajo tha se “pas kësaj rritjeje, pensioni minimal në qytet do të jetë 11 562 lekë në muaj, ndërsa pensioni maksimal do të jetë 23 123 lekë”. Sa i takon të ardhurave, Braho bëri të ditur se “për pensionet e plota në qytetet, të ardhurat nuk mund të jenë më pak se 13 712 lekë në muaj, ndërsa nuk mund të jenë më shumë se 23 623 lekë në muaj”. “Pensioni i plotë minimal në fshat dotë jetë 7 841 lekë në muaj dhe pensioni maksimal në fshat është 11 562 lekë në maj”, shtoi Braho, ndërsa theksoi se qeveria për të përballuar koston e rritjes së pensionit ka vënë në dispozicion një fond prej 1 602 milion lekësh, të cilat kalojnë për llogarit të buxheteve familjare të pensionistëve. Sakaq, në vendin tonë sipas shifrave të ISSH-së do të përfitojnë nga rritja e pensioneve rreth 552 904 persona, nga të cilët 291 893 pensione pleqëria urbane, 50 167 pensione invaliditeti urbane dhe 50 656 pensione familjare urbane. Në fshat përfitojnë 160 188 pensionistë si dhe 30 900 persona nga programe speciale si ushtarakë, minatorë, punonjës të ish-ndëtrisë ushtarake/pilotë/detar dhe profesorë.

Advertisement