Tiranë – PDI synon ministri në kabinetin e ri

Në një intervistë televizive, Muhedini u shpreh dje se “partitë pa mandate do të marrin poste të një rangu më të ulët se sa ministritë, kurse ne që kemi mandate, pretendojmë që të kemi një dikaster dhe me të do të tregojmë edhe vlerën e elektoratit tonë”. “Mendoj se është më se e domosdoshme që ne të kemi një post në kabinet. Janë disa ministri që ne kemi piketuar, por nuk mund të deklarojmë asnjërën prej tyre pa biseduar më parë me Berishën”, sqaroi kreu i PDI-së, i cili ashtu si LSI-ja nuk do të tregojë biseda sekrete për krijimin e qeverisë së ardhshme. Deklaratës së republikaneve, se i kanë dhënë koalicionit 4 mandate, ku një prej tyre është dhe ai i çamëve, Muhedini i kundërpërgjigjet duke thënë se “mandati i fituar nga PDI-ja nuk ka lidhje me kontributin republikan”. “Ne nuk kemi bërë fushatë si forcat e tjera politike, për të marrë vota në çdo qytet dhe çdo qark. Ne jemi e vetmja forcë politike që në çdo qark u kemi bërë thirrje elektoratit që të votojnë PD-në. Ne kemi luftuar fort vetëm në qarkun e Vlorës dhe të Fierit”, nënvizon Muhedini. Pavarësisht se asnjë qeveri deri tani nuk ka mundur t’i japë zgjidhje çështjes çame, kryetari Muhedini, partia e të cilit përfaqësohet për herë të parë në Parlament, premton presion ndaj qeverisë për zgjidhjen e këtij problemi historik.

Advertisement