Deputeti i Partisë Demokratike, Aldo Bumçi, komentoi sot akuzat e Ministrisë së Punëve të Jashtme ndaj ish-Konsulles së Shqipërisë në Milano, Nausika Spahia. “Sulmi i ndërmarrë ndaj ish- konsulles sonë në Milano, znj Nausika Spahiu, është një sulm selektiv, një sulm që bëhet për shkak të asaj që zonja Spahiu dhe mbiemri i saj përfaqësojnë”, tha Bumçi, duke shtuar se “ky sulm është në vijim të fushatës politike, reformës politike që ministri Bushati po bën në Ministrinë e Jashtme, në shërbimin tonë të jashtëm, që dëshmohet me kriteret që përcaktojnë kur njerëzit qendrojnë në Ministri apo dalin në listë pritje, që duket me propozimet e bëra për kandidatët për ambasadorë, ku nga 11 kandidatura, 6 janë politike. Pra, jo nga shërbimi i brendshëm i karrierës së diplomatëve shqiptarë”. “Siç është bërë e ditur edhe në media, nga vetë zonja Spahiu, pra ish-konsullja jonë në Milano, me dokumenta zyrtarë, shërbimi i ofruar nga ajo në një moment fluksi e kërkese të rritur nga emigrantët shqiptarë, për tu pajisur me pasaporta dhe kartë identiteti biometrike, pra shërbimi për të cilin ajo akuzohet, ka marrë miratimin e autoriteteve të MPJ në kohën e ministrit Haxhinasto, përmes një komunkimi transparent”, tha Bumçi. Pra, vijoi deputeti demokrat, “gjithçka ka qenë transparente me një komunkim të arkivuar, të dokumentuar në MPJ. Ky është një sulm selektiv, konsullata është pjesë e ministrisë dhe nuk kuptohet kë ka dashur të sulmojë zoti Bushati”. Të premten MPJ njoftoi se ka dorëzuar kallëzimin penal pranë organit të akuzës për znj.Nausika Spahija, ish Konsulle e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë në Milano. “Bazuar mbi raportin e auditit të brendshëm të MPJ-s, i cili ka konstatuar shkelje ligjore në veprimtarinë e znj. Spahija gjatë ushtrimit të detyrës së saj si Konsulle e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë në Milano, MPJ ka dorëzuar pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë kallëzimin penal, i cili tashmë është objekt hetimi i organit të akuzës. MPJ sqaron se përveç kallëzimit penal për znj. Spahia, pranë organit të akuzës nuk është dorëzuar asnjë kallëzim penal për subjekte te tjera”, thuhej në njoftimin e MPJ-së.