Tiranë – PD reagon, deklaratat e PS trillime bajate

Sipas saj, “ky është një nga trillimet më bajate të këtij humbësi të madh, pra të z.Rama, i cili nga nëntori i vitit të kaluar e deri sot nuk flet për gjë tjetër përveçse për krizë ekonomike në Shqipëri”. Lidhur me akuzat, PD sqaroi se prokurimet publike në 6 mujorin e dytë të vitit jo vetëm që nuk janë ndërprerë por vetëm gjatë muajit Korrik dhe fillimit të Gushtit janë tenderuar ndërtimi dhe rindërtimi i 316 shkollave në mbarë vendin, i qindra kilometrave rrugë dhe i dhjetëra ujësjellësve e kanalizimeve si dhe janë tenderuar një sërë prokurimesh të tjera. “Shqipëria nuk është në krizë ekonomike”, këmbënguli Mëhilli, duke shtuar se “në krizë të thellë shpirtërore dhe politike është z.Rama për humbjen e mandatit të tij”. Ajo shtoi se vetëm në këtë Korrik, Shqipëria është vendi i vetëm me rritje 36% të turizmit krahasuar me Korrikun e vitit të kaluar, dhe se Korridori i Kombit, të cilin siç komentoi zëdhënësja e PD, z.Rama e shpalli si korridorin e asgjëkundit, ka dyfishuar kalimin nga pika e Morinës. PD vlerëson gjithashtu se Shqipëria nuk është në krizë por në krizë ka zhytur Rama Partinë Socialiste sepse ekonomia shqiptare ka një rritje mbi 6 % dhe të ardhurat buxhetore të këtij viti janë rreth 8% më të mëdha se të vitit të kaluar. Kurse thekson se “mund të ketë vërtet kompani të kontraktuara nga Bashkia e Tiranës që z.Rama nuk i paguan por nuk ka asnjë situacion të certifikuar të papaguar nga mazhoranca aktuale”.

Advertisement