Partia Demokratike, nëpërmjet zëdhënëses Laura Vorpsi, denoncoi vendimin e qeverisë për të hedhur poshtë kontratat me artistët e Teatrit të Operës e Baletit dhe Teatrit Kombëtar, duke e cilësuar si kapje e institucioneve të artit nga mazhoranca.
Vorpsi u shpreh se “Nihilizmi, historia e vitit zero dhe arroganca qeveritare, po bie edhe mbi Teatrin e Operës dhe Baletit dhe Teatrin Kombëtar, teksa më shumë se 300 artistë, shumica e të cilëve prej një jete në skenë, po futen në provim për të kaluar testin e drejtorëve, ministres dhe kryeministrit Rama”. Vopsi theksoi se “ky akt i shëmtuar është pjesë e agresionit qeveritar që nuk kursen as Teatrin e Operas dhe Baletit dhe as Teatrin Kombëtar. Mesa duket Edi Rama ka vendosur t’i kapë edhe këto institucione dhe tani e tutje ai do të miratoje edhe pjesët që do të vihen në skenë në teatër dhe në balet dhe aktorët që do të marrin përsipër rolet”. Partia Demokratike i kërkon qeverisë të tërhiqet nga ky akt i papreçedent, që fyen jo vetëm artistët, por dhe kontributin e tyre disavjeçar, çka është sot pjesë e pasurisë kulturore të kombit, përfundoi Vorpsi.