Qeveria po thellon mashtrimin për çështjen e IMEI-it, pasi është një e dhënë personale, unike e përdoruesit të telefonit, deklaroi këshilltari ligjor i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi.
“Ligji ynë për telekomunikacionin, neni 101, e vërteton këtë, pasi e mbron si të dhënë dhe përcakton rastet e dhënies së IMEI-it vetëm atëherë kur e kërkon Prokuroria, në rrethanat e përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale .Gjykata Europiane e Drejtësisë, më 8 prill të këtij viti, e ka mbrojtur IMEI-in si të dhënë personale, ku qeveritë nuk mund të kenë akses”, theksoi ai. “Partia Demokratike i bën thirrje qytetarëve të mos e dorëzojnë privatësinë e tyre në duart e një qeverie arbitrare, si dhe ju bën thirrje kompanive celulare në vend, të mos i dorëzojnë qeverisë të dhënat e IMEI-t, në të kundërt do të përballen me pasojat ligjore dhe me bojkotin masiv të abonentëve”, tha Bardhi.