Tiranë | PD: Qeveria e nis vitin me masakra të reja ndaj administratës

Partia Demokratike, akuzoi sot qeverinë se, “e ka nisur vitin e ri, me masakra të reja ndaj administratës publike, duke shkarkuar dhjetra profesionistë e nëpunës civilë e duke i zëvendësuar ata me militantë të papërvojë dhe pa kualifikimet e duhura”.Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Laura Vorpsi u shpreh se “më 8 janar, Ministrja e Mbrojtjes ka kaluar në listë pritje më shumë se 70 nëpunës civilë. Motivi i largimit, sipas saj, të nëpunësve është ristrukturimi, një hile që tashmë i ka dalë boja, pasi ndryshon vetëm emërtesa e sektorit apo e drejtorisë, sepse në realitet vazhdon të kryhet i njëjti funksion”.“Partia Demokratike e denoncon këtë masakër të qeverisë ndaj nëpunësve civilë, dhe e dënon këtë akt primitiv, anti-ligjor që shkakton kosto të rëndë sociale për shumë familje, si dhe dëmton rëndë administratën publike, dhe procesin e integrimit europian të vendit. Të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë e kanë bërë të njohur qëndrimin e tyre për rëndësinë që ka administrata publike dhe forcimi i kapaciteteve të saj”, theksoi Vorpsi.Sipas PD, “revanshi i egër politik i qeverisë ndaj nëpunësve civile është edhe më i dyshimtë e i paligjshëm kur dihet se Gjykata Kushtetuese ka marrë një vendim kundër aktit të mazhorancës për shtyrjen e zbatimit të ligjit të ri të Nëpunësit Civil”.

Advertisement