“Vetëm në dy javët e fundit, të dhënat tregojnë se rreth 2500 nëpunës kanë humbur vendin e punës, apo janë nxjerrë në listë pritje”, u shpreh sot deputeti i Partisë Demokratike dhe njëkohësisht nën/kryetar i Komisionit të Ligjeve, Oerd Bylykbashi. Në një deklaratë për mediat, Bylykbashi u shpreh se shumë prej punonjësve janë kërcënuar apo janë detyruar të japin dorëheqje, ndërsa shtoi ai, “njoftimet për largime vijnë çdo ditë”. Sipas Bylykbashit, “e gjithë kjo shkelje masive e ligjit, jo vetëm është një dhunim i shtetit të së drejtës dhe të drejtave individuale, por është edhe një dëm ekonomik gjigand. Të gjithë këta mijëra nëpunës do të paguhen nga shteti për dëmin që u është shkaktuar nga kjo paligjshmëri masive”. Deputeti i PD paralajmëroi Drejtoreshën e sapo emëruar të Departamentit te Administratës Publike, por edhe Sekretarët e Përgjithshëm të institucioneve se militantizmi dhe zelli politik nuk i çliron ata nga detyrimi për zbatimin e ligjit. “Kjo drejtoreshë ka detyrë të kthejë mbrapsht si të paligjshme, të gjitha lirimet apo veprimet e tjera në dem të nëpunësve civile. Në të kundërt, Drejtoresha e DAP dhe çdo person tjetër përgjegjës, shkelin ligjin dhe do të përgjigjen penalisht për shpërdorim të detyrës dhe dëmin ekonomik që shkakton ky shpërdorim”, tha Oerd Bylykbashi.