Partia Demokratike, përmes ish-ministrit të Financave, Ridvan Bode denoncoi marrëveshjen mes qeverisë shqiptare dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar e cila sipas tij, parashikon rritje taksash dhe futje të taksave të reja. “Qeveria, që i kishte mbajtur në fshehtësi termat e kësaj marrëveshje dhe që kishte folur vetëm për përfitimin e 330 ml eurove në 3 vjet dhe jo termat dhe shqetësimet e FMN-së, u mundua të mohojë dhe përgënjeshtrojë atë që për muaj me radhë negocioi po vetë”, tha Bode. Sipas ish-ministrit Bode, në faqen 29 të raportit, paragrafi i 3, janë propozuar si mundësi: vendosja e TVSH-së në arsim; vendosja e pagesave toll në rrugët e vendit; rritjen me 50% e taksës mbi tregtimin e makinave të përdorura; futjen e TVSH-së për ndërtimet-banesat e reja; futjen e një takse për hyrje daljet nga Shqipëria të popullsisë vendase etj.