“Partia Socialiste do të mbajë kongresin i cili do të hyjë në histori si Kongresi i bojkotuar nga baza dhe kongresi i delegatëve të zgjedhur me gisht nga z. Rama. Kjo është disfata më e madhe në 20 vitet e fundit të ekzistencës politike së PS-së. Ne nuk duhet të befasohemi nga pesha dhe rrethanat nën të cilat po mbahet ky kongres por qytetarët nuk duhet të mashtrohen”, tha në një prononcim për shtyp, Albana Mustafaraj, zëdhënëse e PD-së. Sipas demokratëve, ky kongres do të kërkojë të heqë vëmendjen nga historia e dështuar e Ramës dhe humbja e tij në 8 Maj ku ai mori 141,000 vota më pak se shumica. “Ky kongres kërkon të heqë vëmendjen nga z. Rama dhe bllokmenët e rinj që e futën PS-në në kuti të votimit për të mbrojtur karrigen e kryetarit të tyre. Ky kongres kërkon që të heqë vëmendjen nga historia izoluese e PS-së, nga përpjekjet e tyre për të bllokuar lëvizjen e lirë pa viza të shqiptarëve në Europë. Ky kongres kërkon që të heqë vëmendjen nga bojkoti që PS i ka bërë Parlamentit për vite me rradhë dhe veprimet e tyre për të bllokuar integrimin dhe progresin e Shqipërisë”, tha Mustafaraj. Nëpërmjet zëdhënëses selia blu, deklaron se, ajo c’ka duan qytetarët është që të dëgjojnë arsyen se pse PS-ja nuk ka ndërmarrë asnjë veprim të vetëm konkret e të mundshëm që të përmirësojë jetën e qytetarëve: të votojë ligjet e pakundërshtueshme që kërkojnë 3/5. “Deri tani nuk kemi dëgjuar asnjë kundërshtim të qenësishëm se pse PS-ja nuk i voton ligjet dhe të zbatojmë rekomandimet ndërkombëtare për të luftuar terrorizmin dhe pastrimin e parave? A e kundërshtron PS-ja përditësimin e Kodit Rrugor, i cili lejon përdorimin e tekonologjisë së fundit dhe garanton sigurinë e drejtuesve të automjeteve? A i kundërshton PS-ja përpjekjet për të miratuar rekomandimet ndërkombëtare për ndalimin e korrupsionit të zyrtarëve shqiptarë? A e kundërshton PS-ja ligjin i cili përmbush detyrimet tona ndaj Organizatës Botërore të Tregtisë për të mbrojtur të drejtat pronësore industrial? Këto janë pyetjet për të cilat nesër nuk do të kemi përgjigje. Ajo që do të dëgjojmë nesër nga z. Rama, kryetari i cili udhëheq me aftësi të rrallë PS-në nga dështimi në dështim, është paraqitja para delegatëve, të zgjedhur prej tij me gisht, e programit të humbjes së ardhshme të PS-së. Disfata vazhdon, të flasësh është gjë e lehtë. Veprimet janë ato që sjellin ndryshim”, deklaroi Mustafaraj.