Tiranë | PD: Fidel Yllit i kanë dhuruar tre apartamente një milionë euro

Partia-Demokratike

“Nga data 6 gusht e në vazhdim kryetari i Partisë Socialiste dhe zëdhënësit e tij, të tmerruar nga zëri i qytetarëve për heqjen e imunitetit, deklarojnë çdo ditë se do të bllokojnë referendumin, apo sipas tyre, vendimi për mbajtjen e tij kërkon miratimin me 2/3 nga Kuvendi dhe ata do të bllokojnë në Parlament, pra, nuk do të japin votat, madje dhe kërcënojnë në mënyra qesharake, se po u thirr referendumi për heqjen e imunitetit nga maxhoranca, Partia Socialiste do të thërrasë katër referendume”, thuhet në deklaratën e PD-së. Sipas PD, “nervozizmi dhe paniku u rritën shumë pas botimit të pasurive të politikanëve nga ILDKP, nga të cilat dolën në dritë pasuritë përrallore të krijuara gjatë viteve imunitare nga kupola e miliarderëve të Partisë Socialiste”. “Nga të dhënat e ILDKP-së rezulton se vetëm njerit prej anëtarëve të klubit të miliarderëve dhe konkretisht Fidelit të Partisë, i kishin dhuruar ndër të tjera, tre apartamente në qendër të Tiranës me vlerë rreth – një milion Euro apo vetëm nga dividenti i një klubi, ku është aksioner me të tjerë, Ylli i miliarderëve të Partisë Socialiste ka përfituar gjysëm milioni euro”, vijon deklarata. “Ne dhamë këto dy shembuj për të faktuar se si miliarderët në krye të Partisë Socialiste maskojnë pasuritë e tyre të paligjshme, duke deklaruar – 1 milion Euro si dhuratë e miqve të tyre ‘bujarë’, që falin tre apartamente në qendër të Tiranës sikur të ishin tre kravata”, thekson PD në deklaratën për shtyp. Sipas PD-së, “me fshehjen nëpërmjet imunitetit të pasurive të paligjshme, është dhe shkaku kryesor përse z.Rama dhe kupola e miliarderëve të Partisë Socialiste, Fidelët e partisë, nuk munden të votojnë kurrë për heqjen e imunitetit. Bllokuan në Parlament heqjen e tij dhe tmerrohen nga referendumi dhe zëri i qytetarëve për rrëzimin e murit të imunitetit sepse nga heqja e imunitetit u del bishti dhuratave, pallateve, pasurive të paligjshme dhe dividentëve nga trafiqet e tyre kriminale”. “Partia Demokratike i thotë z. Rama se e drejta për thirrjen e referendumit është e drejtë kushtetuese e qytetarëve, parlamentarëve dhe qeverisë së vendit, sanksionuar në nenin 150 të Kushtetutës së vendit. Çdo përpjekje për bllokimin e saj është e dështuar dhe do t’u rikujtojë qytetarëve betejat e Don Kishotit me mullinjtë e erës”, përfundon deklarata për shtyp e PD-së.  

Advertisement