Tiranë – PD cel fushatën zgjedhore

Ashtu si edhe në organizimet e mëparshme në kuadër të fushatës paraelektorale, kënga e grupit të mirënjohur gjerman Modern Talking, “We can win the race” (Ne mundemi ta fitojmë garën) ishte kolona zanore që shoqëroi mitingun e PD-së për celjen zyrtare të fushatës zgjedhore. “Sot nisim startin e madh për fitoren e dytë” kështu e nisi fjalën e tij kreu demokrat, Sali Berisha duke shprehur mirënjohje ndaj kryeqytetasve për besimin që i kanë dhënë Partisë Demokratike. Duke folur përpara njerëzve të shumtë që ju bashkuan PD-së në sheshin “Skënderbej”, Berisha tha se Tirana është drejt rrugës europiane. “Sot ne nisim startin e madh për fitoren e dytë, e cila do të ketë si motër 20 marsin e vitit 92, e cila do të ketë për mision ëndrrën e madhe evropiane të mbarë shqiptarëve. Tirana europiane do të ndërtojë Shqipërinë europiane” theksoi kryeministri. Berisha theksoi se në katër vitet e ardhshme PD do ti japë jetë projektit të madh të shndërrimit të qytetarëve shqiptarë në qytetarë europianë. Ndër të tjera Berisha premtoi 24 orë ujë në mbarë vendin, shërbim shëndetësor dinjitoz e 160 mijë vende të reja pune. “Tirana euorpiane do të jetë e punës, biznesit, pasurimit, begatisë. Në 4 vitet që vijnë do të krijojmë së bashku 160 mijë vende pune të reja. Tirana europiane do të jetë Tirana e të rinjve. Do të shndërrojmë në realitet ëndrrën e bukur për në Bashkimin Europian” theksoi Berisha. “Së bashku më 28 qershor të rikthejmë lavdinë tonë elektorale, 22 marsin e vitit 1992” e mbylli fjalën e tij kreu demokrat. PD-ja gjithashtu paraqiti edhe këngën e re të fushatës me titull “Shqipëria po ndryshon” e kënduar nga Elita 5, Genta Ismajli, Leonora Poloska, Elvana Gjata, Soni Malaj, Ciljeta, Stine dhe Bojken Lako.

Advertisement