“Me vendimin e saj, për rrëzimin e këtij ligji, Kushtetuesja i bëri dje shërbimin e fundit diktaturës komuniste. Gjashtë anëtarëve të kësaj gjykate sivjet u mbaron mandati 9-vjeçar, i cili është i parinovueshëm, por ata zgjodhën që të largohen duke i shkatuar një dëm të fundit vendit dhe një njollë më shumë shërbimit të tyre të turpshëm”, citon deklarata zyrtare e BKD-së lidhur me një fakt të tillë. Më tej, Roshi shtoi se ligji i Lustracionit është një nga ligjet më të nevojshme për Shqipërinë. “Ai duhet të ishte miratuar dhe të kishte hyrë në fuqi shumë vite më parë, jo për të cënuar interesat e individëve të veçantë, por për të ndihmuar progresin e shoqërisë dhe për të respektuar edhe rezolutën e KE për dënimin e krimeve të komunizmit. Megjithatë, PBKD mendon se mazhoranca duhet të tregohet aktive në riaktivizimin e shpejtë të ligjit. Me vendimin e Gjykatës Kushtetuese u pa qartë forca e lidhjeve të individëve që kanë pushtet me të shkuarën”, thuhet në këtë deklaratë. Duke shtuar më pas se PBKD i bën thirrje presidentit që në përzgjedhjen e kandidatëve të ardhshëm për në Gjykatën Kushtetuese të ketë parasysh me shumë vëmendje, të shkuarën e kandidatëve dhe lidhjet e tyre me regjimin komunist. “Sepse ata do të jenë nesër gjykatësit që do të përballen me ligje të tjera në dobi të shoqërisë shqiptare, të cilat, gjykata e tanishme, vendosi t’i rrëzojë për interesa të klaneve politike kriminale në historinë e vendit”, përfundon deklarata e BKD-së.