Kreu i kësaj partie, Vangjel Dule konfirmoi vendimin zyrtar të marrë nga kryesia e partisë. Sipas Dules, negociatat me Partinë Demokratike dështuan dhe PBDNJ nuk gjeti terren të përbashkët me maxhorancën aktuale. Dule theksoi se vendimi është marrë me korrektësinë më të madhe, duke shtuar se në ditët në vazhdim do të jepen detajet e këtij bashkëpunimi. Ndërkaq, kreu i PBDNJ nënvizoi faktin se partia që ai drejton ka prioritet integrimin e vendit në Bashkimin Europian. Koalicioni i majtë “Bashkimi për ndryshim” i kryesuar nga Partia Socialiste u zyrtarizua pasditen e së martës, gjatë një ceremonie të organizuar në amfiteatrin e Akademisë së Arteve. Koalicioni ka në përbërjen e tij PSD, G99, PDS dhe së fundi i është bashkuar edhe PBDNJ. Pika kryesore e deklaratës së përbashkët të koalicionit është nevoja që ka shteti për të ndryshuar, duke theksuar se reformat e deritanishme të qeverisë në pushtet kanë qënë të panevojshme. Kryetarët e partive përbërëse të koalicionit të majtë mbajtën fjalimet e tyre duke theksuar se ky bashkim është një koalicion për qytetarët përtej të majtës apo të djathtës. Kreu socialit, Edi Rama theksoi gjatë fjalës së tij se bashkimi i ri i së majtës ka lindur për ti hapur krahët e bashkëpunimit të gjithë atyre që duan ndryshimin.