Tiranë – Partitë e majta zyrtarizojnë koalicionin “Bashkimi për ndryshim”

Pika kryesore e deklaratës së përbashkët të koalicionit është nevoja që ka shteti për të ndryshuar, duke theksuar se reformat e deritanishme të qeverisë në pushtet kanë qënë të panevojshme. Kryetarët e partive përbërëse të koalicionit të majtë do të kenë nga 5 minuta kohë për të thënë fjalën e tyre. Gjatë fjalës së tij, kreu i G99, Erjon Veliaj e ka konsideruar formimin e koalicionit të majtë si nisjen e një rrugëtimi i cili nuk mund të bëhet vetëm. “Ne duam të ftojmë të gjithë qytetarët të jenë dëshmitarë të kësaj besëlidhje të re me Shqipërinë, që quhet Bashkimi i ri për ndryshim” theksoi Veliaj. Kreu i G99 i ka bërë thirrje qytetarëve ta konsiderojnë koalicionin e ri si koalicion qytetar përtej të majtës apo të djathtës. “Ky është koalicion ku mbi të gjitha ju thotë shqiptarëve kini besim tek vetja juaj, Shqipëria nuk është vendi i mundësive nëse s’ka mbiemrin e duhur dhe lidhjet e duhura. Ky koalicion ka pasion krijimin e mundësive, ai që është i aftë duhet të jetë i suksesshëm” u shpreh Veliaj. Kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo e hapi fjalën e tij duke theksuar se koalicioni i majtë nuk është vetëm një akt i madh politik që bashkon forcat politike por është një koalicion për të gjithë qytetarët. “Unë jam një qytetar i majtë, i ftoj të gjithë bashkëmendimtarët e mi që vlerat më të mira që ne përfaqësojmë, ti bashkojmë me vlerat më të mira me qytetarë që të bëjnë me ta ndryshimin” tha kreu i PDS. Milo u ka premtuar qytetarëve se pas 28 qershorit koalicioni i majtë do të sigurojë një qeverisje të aftë që do të ballafaqohet me shqetësimet dhe hallet e tyre. “Ne sot jemi këtu për ti dhënë një mesazh shqiptarëve se ju premtojmë një qeverisje të aftë pas 28 qershorit dhe jo një qeverisje qe do të jetë një rrotacion i thjeshtë i pushtetit. Për ta bërë këtë ne kemi nevojë për mbështetjen e shqiptarëve” theksoi Milo. Ndër të tjera kreu i PDS nënvizoi se “koalicioni i majtë nuk është një koalicion elektoral por koalicioni i qeverisjes së ardhshme të Shqipërisë”. Ndërkohë, Milo theksoi se e majta do të jetë ajo që do të presë shiritin e inagurimit , kur Shqipëria do të bëhet anëtare e Bashkimit Europian. “Në rast se dikush është sot kryeministër dhe është lodhur duke folur se i takon atij merita për Shqipërinë në NATO, ne do u themi shqiptarëve se jemi ne ata që do të presim shiritin e inagurimit, kur Shqipëria të bëhet anëtare me të drejta të plota në BE. Gjatë fjalës së tij në zyrtarizimin e koalicionit të së majtës, kryetari i PSD, Skënder Gjinushi u shpreh se sot është nënshkruar akti i bashkimit që sipas tij do të jetë fitues në zgjedhjet e 28 qershorit. “Bashkimi jonë përfaqëson shpresën dhe të ardhmen, Shqipërisë i duhet një ndryshim dhe këtë do ta bëjmë së bashku. Shumica e shqiptarëve janë për këtë ndryshim dhe për rikthimin e shpresës dhe normalitetit” tha Gjinushi. Duke e konsideruar vendin larg anëtarësimit në Bashkimin Europian, Gjinushi tha se qeveria në pushtet nuk mund ta cojë vendin përpara. “Ne nuk cojmë formalisht Shqipërinë në NATO dhe BE por sjellim standardet dhe vlerat e tyre në Shqipëri. Këtë do të bëjmë sëbashku në 4 vitet e ardhshme. Në BE do ta integrojmë Shqipërinë për shqiptarët dhe jo për qeveritarët” deklaroi kreu i PSD-së. “Bashkimi i të djathtëve është në konflikt të hapur me drejtësinë” tha Gjinushi, ndërkohë që theksoi se “Bashkimi për ndryshim” është bashkim i vlerave. Gjinushi përmëndi edhe krizën ekonomike , duke thënë se vetëm qeveria nuk e ndjen atë. “Krizën e ndjenë të gjithë shqiptarët, përvec qeverisë. Ne do e nxjerrim vendin nga kriza, ne jemi të gatshëm të ndryshojmë këtë realitet duke filluar me largimin e shkaktarëve të saj” deklaroi Gjinushi, në mbyllje të fjalës së tij. Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi gjatë fjalës së tij se bashkimi i ri i së majtës ka lindur për ti hapur krahët e bashkëpunimit të gjithë atyre që duan ndryshimin. “Bashkimi ynë i ri nuk ka lindur për tju përgjigjur baltës me baltë dhe mllefit me mllef por për ti hapur krahët të gjithë atyre që e duan Shqipërine si Europa” theksoi kryesocialisti. Ashtu sikundër deklaruan edhe liderët e tjerë të koalicionit, Rama u shpreh se koalicioni i së majtës është një bashkim përtej së majtës dhe të djathtës, por sipas tij ka lindur për të mos lënë që të vazhdohet të jetohet me plagët e të vjetrës. Rama u shpreh se ky bashkim ka si qëllim të nxjerrë më të mirën e mundshme. “Jemi bashkuar që të nxjerrim më të mirën prej nesh që më e mira të bëhet për fëmijët, që të mos mbeten pa libra, të rrinë pa punë dhe prindërit të enden në rrugët e papunësisë, për të moshuarit që nuk kanë mundësi të paguajnë ilaçet” u shpreh kreu socialist Lideri i opozitës ka theksuar se pas 28 qershorit, do të vijë në pushtet një qeveri e re që do të zgjidhë problemet e qytetarëve dhe do ta nxjerrë Shqipërinë nga tranzicioni. “Bashkimi ynë ka ardhur për t’iu dhënë përgjigje pikëpyetjeve të shqiptarëve. Jemi bashkuar për të mbledhur të gjithë fuqinë e mëndjes për të mos lejuar që kjo Shqipëri të bëhet copë e cikë për shkak të paaftësisë dhe interesave personale” theksoi Rama. Rama premtoi gjithashtu integrimin e vendit në familjen evropiane, si dhe eleminimin e monopoleve të pasurimit, sic po bën sipas tij familja e kryeministrit. “Është koha që cdokush që do ndryshimin duhet të merret me politikë, për ta vënë politikën në shërbimin e tij. Endrra e Shqipërisë, si gjithë Europa kërkon rrugë për të dalë nga duart që e pengojnë për tu bërë realitet. Ja pse është koha për tu bashkuar përtej kufijve të vjetër të partisë, përtej mërive dhe hasmërive, përtej interesave familjare që e kanë uzurpuar politikën dhe sot ndjehen të kërcënuar nga ndryshimi që po vjen” theksoi Rama.

Advertisement