Tiranë | Partia Socialiste zyrtarizon ftesën për koalicion me LSI-në

Partia Socialiste po zhvillon në ambjentet e saj mbledhjen e kryesisë. Sipas burimeve Partia Socialiste ka zyrtarizuar ftesën drejtuar Lëvizjes Socialiste për Integrim për koalicion në zgjedhjet e 23 qershorit. Më vonë gjatë ditës pritet të publikohen edhe temat ku do të fokusohet bashkëpunimi parazgjedhor. Sipas marrëveshjes që pritet të arrihet mes PS-së dhe LSI-së, forca kryesore e opozitës duket se ka pranuar që të votojë në parlament të tre ligjet dhe reformat e kërkuara nga Brukseli si kusht për marrjen e statusit të vendit kandidat. Ndërkohë pritet që të zhvillohet edhe mbledhja e grupit të PS-së ku pritet që kryesocialisti Edi Rama të mbajë edhe një fjalim. Mësohet ndërkohë se vendimi për zyrtarizimin e ftesës për koalicion u miratua mes debateve me jounanimitet. Deputeti Erjon Brace është shprehur kundër kësaj aleance. Për të argumentuar këtë ai bëri dhe lidhjet me ngjarjet e 21 Janarit. Një ditë më parë burime pranë dy partive pohuan se bisedat për këtë marrëveshje kanë kohë që kanë nisur, por është pritur momenti i duhur për të shkuar në realizimin e saj.

Advertisement