Tiranë – Partia Socialiste hap fushatën nën moton “Politikë e re për ndryshim”

Mësohet se për herë të parë në publik, kanë marrë pjesë 140 kandidatët për deputetë të Partisë Socialiste. PS është munduar të sjellë të reja në mënyrën e organzimit, duke zgjedhur të japë mesazhin e saj të ndryshimit, drejtuar vecanërisht të rinjve të cilët 18 vite më parë sollën ndryshimin e madh për Shqipërinë. Personat që mbajtën fjalën e tyre ishin qytetarë nga shtresa të ndryshme shoqërore, disa kandidatë, si dhe kryetari Edi Rama. Më pas u lancua hiti të cilin PS do të ketë kolonë zanorë në këtë fushatë, e cila nisi zyrtarisht dje. Deputeti socialist Gramoz Ruci ka hapur ceremoninë e hapjes së fushatës zgjedhore të Partisë Socialsite duke theksuar se kjo është një ditë e madhe për shqiptarët. “Sot është një ditë e madhe për të hedhur një hap të rëndësishëm drejt politikës së re, kanë mbetur 30 ditë për Sali Berishën” kështu e filloi Ruci fjalën e tij përpara turmës së njerzve të mbledhur në Qytetin Studenti. Ruci ka përmendur dështimet e qeverisë aktuale në 4 vitet e saj . “Berisha premtoi shërbim shëndetësor por dështoi, premtoi se do reduktojë papunësinë, por dështoi, sa herë që pati mundësinë të na ndihmonte ktheu shpinën dhe dështoi. Skandali me i madh i qeverisë së tij ndodhi në Gërdec, humbja e shumë njerëzve shkaterrpi shumë familje, do të mbetet në zemrat e mijra të dëmtuarve. Shqiptarët do ta kujtojnë Gërdecin dhe do të votojnë kundër qeverisë së Gërdecit” theksoi Ruci. Gramoz Ruci u ka bërë thirrje qytetarëve ti bashkohen Partisë Socialiste për tu cliruar nga politika e vjetër, për të sjellë shpresën. “Bashkohuni me Ramën për të ndërtuar Shqipërinë” u shpreh Ruci. Ndërkohë aktorja e madhe Luiza Xhuvani, kandidate për deputete e PS theksoi se për ta bërë Shqipërinë si Europa duhet ta bëjmë më parë si Tirana. “Shqipërinë, shqiptarët do ta bëjnë si Europa, por përpara duhet ta bëjmë si Tirana, ky është vizioni i ri që përfaqëson Edi Rama dhe Shqipëria meriton. Kjo është arsyeja pse jam krenare që bëj pjesë në listën e Partisë Socialsite” deklaroi Xhuvani. Në këtë sipar të hapjes zyrtarisht të fushatës elektorale të Partisë Socialiste për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, fjalën e ka marrë edhe një përfaqësuese e të vërbërve. Ajo është shprehur se duhet të kundërshtojmë dhunën dhe duhet ti themi po dashurisë dukë përdorur të gjitha mjetet ndëshkuese ndaj politikës dhunuese. “Në shekullin e ri, nuk ka vend politika dhunuese, ne duhet të ngremë zërin kundër dhunuesit, ndaj duhet ti ndëshkojmë ata me të gjitha mjetet, duhet ta luftojmë atë për ti thënë po dashurisë”- u shpreh e verbra. Më tej ajo ka shtuar se vendi ka nevojë për një politikë të re ku të gjithë shtetasit të gëzojnë në vendin e tyre. Kandidati socialist në Korcë, Ben Blushi deklaroi se sot shqiptarët janë të barabartë vetëm në varfëri. Duke përmendur faktin se ka qënë protagonist në lëvizjen studentore që solli ndryshimin e madh për Shqipërinë, Blushi thekson se “sot Shqipëria nuk është ajo për të cilën luftuam , për të cilën kemi punuar dhe ëndërruar”. “Regjimi i varfërisë që kemi sot na ka braktisur si fëmijë, na ka harruar si të moshuar, na ka izoluar si shqiptarë, na ka turpëruar si europian. Shqiptarët nëse kanë një armik, ajo është varfëria e tyre, nëse kanë kundërshtar ajo është qeveria e tyre, nëse kanë një problem kjo është varfëria, e cila ushqehet përditë nga paaftësia e qeverisë shqiptare” deklaroi Blushi. Duke përmenduar dështimet e qeverisë, që e kanë larguar Shqipërinë nga Europa, Blushi theksoi se nga rruga e shqiptarëve për në Europë na ndajnë vetëm 30 ditë. “28 qershori është fitorja e parë e Europës në Shqipëri” tha Blushi. Pas tij e ka marrë fjalën kryetari i PS. “Përulem përpara shqiptarëve” kështu e nisi fjalën e tij kreysocialisti Edi Rama duke theksuar se politika e re do të ndryshojë qeverisjen e vendit. “Sot shqiptarët meritojnë më shumë se sa luftën e vjetër, shqiptarët meritojnë më shumë se sa një politikan që fiton me një tjetër, meritojnë një politikë që të ketë zemër që të ndjejë problemet e tyre, pasion dhe vullnet për të shkruar bashkë me atë një faqe të re në historinë e Shqipërisë” theksoi Rama. Rama deklaroi se fillimi i një historie të re duhet nisur nga ndryshimi i mënyrës se si janë bërë gjërat në vitet e fundit, duke ndryshuar rrënjët e politikës qeverisëse të këtij vendi. “Ja pse dua të bëhem kryeministër” theksoi Rama duke përmenduar zgjidhjet për shumë probleme që shqetësojnë vendin. “18 vite më parë doli një rrymë “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” kjo është ëndërra që më nxorri dhë mua në rrugë atëherë dhe më ka sjellë përsëri këtu për tju thënë se dua ta sjell qeverinë dhe politikën tek ju, duke e cuar në cdo fshat duke e bërë instrument ndryshimi në duart e të gjithve ju” u shpreh kreu socialist. Rama tha se forca e besimit që i ka dhënë ndryshimi i Tiranës e ka bërë të dëshirojë një ndryshim të tillë për të gjithë Shqipërinë, përmes një qeverie kombëtare me një vizion qytetar. “Kryeqytetasit që prej 18 vitesh jetojnë me ndryshimin e madh të Tiranës, duan një ndryshim edhe më të thellë. Për t’ia dhënë këtë ndryshim unë i kërkoj atyre votën për kryeministër më 28 qershor, bashkë me PS. Ndërsa të gjithë shqiptarët që e duan shqipërinë të ndryshuar, sic ka ndryshuar Tirana, unë i them se jam këtu për ta bërë të mundur bashkë me ta” theksoi kryetari i opozitës. Mes brohoritjeve të shumta kryesocialisti nënvizoi se me fitoren e 28 qershorit do tu jepet zgjidhje pyetjeve të njerëzve, se pse Shqipëria nuk është në Bashkimin Europian dhe pse shqiptarët nuk janë të lirë të lëvizin në Europë. “Të gjithë jemi sonte këtu se nuk ka arsye që Shqipëria të jetë pa shtet, pa mbështetje për bujqit dhe pa arsim për të rinjtë, në 28 qershor në do ti marrim në dorë” tha Rama. Rama ka përmendur problemet në arsim duke thënë se pas 30 ditës do ti shpallet luftë analfabetizmit, problemet në shëndetësi , duke theksuar se spitalet do të shndërrohen në hapësira ku shfaqet solidariteti për njëri tjetrin, problemtet e mjedisit duke premtuar pastrimin e Shqipërisë nga plehrat dhe mbeturinat urbane. Kreu socialsit ka reaguar edhe për kërkesën e kryeministrit Berisha i cili i ka bërë thirrje të dorëhiqet nga posti i kreut të Bashkisë së Tiranës. “Berisha i ka drejtuar topat e baltës drejt bashkisë dhe PS me një fushatë të dëshpëruar, për ti shpëtuar humbjes së pashmangshme, më 28 qershor. I gjori kryeplak i politikës së vjetër më kërkoi mua të iki nga detyra e bashkisë, pa i pyetur ata që më zgjodhën” u shpreh Rama. “Ne do të fitojmë sepse Shqiperia nuk mund të humbasë” e mbylli fjalën e tij kreu i Partisë Socialiste, duke u pasuar nga prezantimi i hitit “Cohu” që do të jetë kolona zanore e PS në këto 30 ditë të fushatës zgjedhore.

Advertisement