Partia Socialiste çeli pasditen e djeshme në Tiranë fushatën elektorale për zgjedhjet e 23 qershorit. Në një miting të organizuar në pallatin e sportit “Asllan Rusi”, u prezantuan kandidatët e PS-së për Tiranën, të cilët u shprehën të bindur për fitoren e së majtës më 23 qershor. Në fjalën e tij Pandeli Majko u shpreh se “Fitorja e 23 qershorit do të fillojë nga Tirana. Pas 23 qershorit ne ju premtojmë një dhëndër tirone për kryeministër. Koha vrapon drejt nesh dhe ne marshojmë drejt saj. Pas 23 qershorit do të sjellim në qeverisjen e vendit një djalë që lindi dhe u rrit në Tiranë, ai është kryeministri i ardhshëm Edi Rama”. Ndërsa Saimir Tahiri tha se “Jemi aq shume sa në 23 qershor e kemi fare të lehtë të mundim Berishën. Në 23 qershor ne shkojmë për të përmbysur sistemin që ka lënë qytetarin të fundit dhe pushtetarët të parët”. Në hapje të fjalës së tij, Rama theksoi se nëse shqiptarët votojnë numrin 29 në fletën e votimit, pas 23 Qershorit, kryeqytetasit do të fitojnë legalizim të banesave ndërsa biznesi do marrë frymë me heqjen e taksës së vogël. “Kjo është Tirana kur gjithë shqiptarët ëndërrimtarë erdhën këtu për të ndërtuar një Amerikë të vogël, një Amerikë të vogël të atyre që sot kanë ndërtuar mijëra shtëpi me kursimet e mijëra sakrificave dhe forcën e ëndrrës për të jetuar në kryeqytetin e Shqipërisë. Ato shtëpi që prej 22 vjetësh presin shtetin e shqiptarëve, që t’i kthejë, në pasuri të patundshme të cdo shqiptari në Kamëz, Paskuqan, në Kodrën e Prifti, në Allias në Kinostidusio, Kombinat, Bregun e Lumit, njësinë nr 5, në Sauk, në Selitë. Dhe unë zotohem para jush se në 23 qershor duke marrë një copë letër, dhe duke shënuar një kryq tek numri 29, cdo kryefamiljar që pret legalizimin, do e kthejë shtëpinë e vet në pronën e vet përjetëesisht të patundshme”. “Me biznesin e tij të vogël shumë shqiptarë, në Amerikën e vogël të shqiptarëve ecën përpara, deri kur u gjendën përballë presionit të papërmbajtur, taksës së sheshtë, që u vendos mbi taksën e biznesit të vogël dhe bashkë me taksën e fshehtë TVSH që po i marrin krejt fyrmën biznesit të vogël dhe që bëjnë që çdo orë në shqipëri të mbyllet një biznes. Unë dua t’ju them të gjithë tironsve, dhe tiranëve të gjithë atyre që jetojnë me një furrë bukë, ushqimore, rrobaqepësi, se më 23 qershor duke shkuar, duke marrë një copë letër në dorë dhe duke vënë një kryq tek numri 29 tek PS, do ta heqin taksën e biznesit të vogël, do të përgjysmojnë TVSH-në.”- tha Rama gjatë fjalës së tij. Më tej Rama tha se zotohet që pas 23 qershorit, nuk do të ketë asnjë rrogëtarë të këtij shteti që do ti nënshtrohet tekave të cilitdo pushteti. Rama tha se PS ka një projekt edhe për infrastrukturën. “Vërtetë në 2011 na e vodhën Tiranën, por më 23 qershor Tiranë me një votë më masive do të votojë ndëshkimin dhe Rilindjen, do të marrim projektin për Tiranë evropiane, që është themeli i projektit të Shqipërisë Evropiane.”- tha ai. Kreu socialist premtoi ndëshkim maksimal ndaj kriminalitetit. “Janë katërfishuar vrasjet dhe plagosjet. Ne zotohemi se për 300 ditë ne do tu kthejmë shqiptarëve një polici shteti në krye të detyrës. Nga Tirana e në të gjithë Shqipërinë do ta bëjmë rendin dhe sigurinë një shembull për të cilin çdo shqiptar do të ndihet i qetë dhe i sigurtë për vetën, familjen dhe pronën. Kush do të guxojë të prekë vajzën, djalin, babain, nënën, pjesëtare të një familje të zakonshme ka prekur shtetin dhe do të përballet me Policinë e Shtetit”.
Lista zyrtare e PS për Qarkun e Tiranës:
1. Pandeli Majko
2. Saimir Tahiri
3. Vasilika Hysi
4. Ditmir Bushati
5. Fatmir Xhafaj
6. Lindita Nikolla
7. Besnik Baraj
8. Xhemal Qefalia
9. Sadri Abazi
10. Parid Cara
11. Spartak Braho
12. Artan Gaçi
13. Pjerin Ndreu
14. Rakip Suli
15. Milena Harito
16. Dashamir Peza
17. Enkelejda Shkreli
18. Ervin Bushati
19. Bledar Doracaj
20. Alfred Dalipi
21. Sadi Vorpsi
22. Blerina Gjylameti
23. Petrit Vargu
24. Arben Seferaj
25. Shaqir Shehu
26. Blendi Nallbani
27. Erjeta Alhysa
28. Rodolf Xhillari
29. Ibrahim Kalemi
30. Afrim Qendro
31. Azbi Arapi
32. Lavdrim Sahitaj
33. Petrit Deskaj
34. Besim Ruçi