Sot invalidët dhe tetraplegjikët futen në grevë urie, pranë ambienteve të shoqatës së tyre në Laprakë. Invalidët e kësaj kategorie kanë kërkuar për disa muaj rresht prej Qeverisë dhe institucioneve të tjera përgjegjëse, realizimin e katër kërkesave të tyre jetike, të cilat kanë të bëjnë me rritjen e pagesës për paketën higjieno-sanitare, rritja e sasisë së karburantit që ata duhet të përfitojnë si dhe siguracione dhe pagë më të lartë për kujdestarët, personat që kujdesen për ta. “Ne kërkojmë që qeveria të bëjë rritjen e paketës higjieno-sanitare, nga 12.000 lekë në muaj, në 30.000 lekë në muaj si dhe rritjen e sasisë së karburantit deri në 80 litra naftë, pavarësisht luhatjes së çmimit të naftës”, – ka deklaruar perfaqesuesi i shoqates se invalideve para dhe tetraplegjike, Ali Plaka. Ata kërkojnë gjithashtu që personave që i shoqërojnë t’u njihet siguracioni, sidomos për personat që shoqërojnë paraplegjikët, pasi ata kanë më shumë vështirësi. Gjithashtu kërkojnë rritje page për kujdestarët, deri në masën që është paga minimale sot, e cila është përcaktuar nga Qeveria. Kryetari i shoqatës së invalidëve para dhe tetraplegjikë thotë se këto kërkesa janë jetike për këtë kategori invalidësh dhe se ata nuk do të dalin nga greva e urisë deri sa të merren parasysh kërkesat e tyre. Greva e urisë vjen pas disa protestave që kjo kategori invalidësh ka zhvilluar disa herë por përvec premtimeve nuk kanë parë asnjë zgjidhje për kërkesat e tyre. Në vendin tonë numërohen 4500 paraplegjikë dhe tetraplegjikë, të cilët kërkojnë mbështetje nga institucionet e vendit.